Izraeli instalon armë robotike që lëshon gaz lotsjellës, granata plasëse dhe plumba gome ndaj palestinezëve

Në një zonë të paqëndrueshme në Bregun Perëndimor, Izraeli ka instaluar një armë robotike që mund të lëshojë gaz lotsjellës, granata plasëse dhe plumba gome ndaj palestinezëve. Armët robotike të instaluara në një kamp refugjatësh palestinezë, përdorin inteligjencën artificiale për të gjurmuar objektivat. Ushtria izraelite thotë se teknologjia e re paraqet më pak rrezik për ushtarët dhe civilët, ndërsa palestinezët thonë se armët janë çnjerëzore, të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

Ndonëse të mbushura me municione jo vdekjeprurëse dhe jo plotësisht të automatizuara, dy armët robotike në majë të një kulle kontrolli të pajisur me kamera vëzhgimi të drejtuara nga kampi i refugjatëve al-Aroub në Bregun Perëndimor janë pjesë e një prirjeje në rritje në Izrael, territoret palestineze dhe më gjerë për të angazhuar robotët në luftë. Ushtarët mund t’i aktivizojnë nga distanca armët robotike për të qëlluar objektivat që duan. Palestinezët thonë se këto armë vazhdimisht kanë mbytur me gaz lotsjellës kampin e refugjatëve aty pranë.

“Ajo qëllon vetë pa krijuar asnjë vështirësi për ushtarin. Kur ushtari izraelit sheh një djalë të vogël, ai shtyp një buton dhe arma qëllon vetë. Ajo qëllon më shpejtë se ushtarët dhe mund të godasë pothuaj çdo cep të kampit“, thotë Kamal Abu Hishesh, një 19-vjeçar banor i kampit al-Aroub.

Armët robotike po përdoren gjithnjë e më shumë në mbarë botën, me dronët që përdoren gjerësisht nga Ukraina deri në Etiopi. Armët e telekomanduara, si ato që Izraeli operon në Bregun Perëndimor, janë përdorur nga Shtetet e Bashkuara në Irak, Korenë e Jugut, përgjatë kufirit me Korenë e Veriut dhe nga rebelët sirianë. Armët automatike robotike janë prodhuar nga kompania izraelite “Smart Shooter”, që ka nënshkruar kontrata për shitje armësh me ushtri të dhjetëra vendeve në mbarë botën.

Presidentja e kompanisë, Michal Mor thotë se arma nuk është autonome dhe parashikon përzgjedhjen e objektivave dhe llojit të municionit nga njeriu.

“Qëllimi i parë është të mbrojmë ushtarët tanë duke rritur distancën midis tyre dhe situatës së rrezikshme. Qëllimi i dytë është zvogëlimi i numrit të viktimave të pafajshme. Me këtë armë i jepet mundësia një ushtari të realizojë një goditje shumë të saktë vetëm ndaj objektivave legjitime. Pra, në vend të përdorimit të një rakete, mund të përdoret kjo armë e kalibrit më të vogël”, thotë ai.

Omar Shakir, drejtor për Izraelin dhe territoret palestineze në organizatën Human Rights Watch, thotë se frëngjitë me armë robotike janë shembull i “rrëshqitjes së Izraelit drejt dehumanizimit dixhital të sistemeve të armëve” që heqin garancitë natyrore të gjykimit njerëzor në një konflikt të ndërlikuar. Ai thotë se frëngjitë me armë automatike robotike do të ulin rrezikun për ushtarët, por do të rrisin rrezikun për palestinezët.

Ushtria izraelit tha përmes një deklarate se përdorimi i armëve autonome është i rregulluar ashtu si çdo armë tjetër në arsenalin e tyre, ato nuk do të përdorin plumba realë ose vdekjeprurës dhe do të operohen vetëm nga ushtarë të trajnuar. Duke përdorur teknologji të tilla, zoti Shakir thotë se Izraeli po krijon “një fuçi baruti” për abuzimin e të drejtave të njeriut.

“Kur e kombinoni këtë teknologji me një ushtri që përdor forcë të tepruar, jo proporcionale, të paligjshme, ju krijoni një fuçi baruti për abuzimin e të drejtave të njeriut. Dhe unë kam frikë se ky sistem do ta rëndojë më tej gjendjen e të drejtave të njeriut, shkeljen e tyre nga ushtria izraelite dhe krimet e qeverisë izraelite kundër miliona palestinezëve”, thotë ai.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur gjatë muajve të fundit. Izraeli ka shtuar bastisjet dhe arrestimet pas një numri sulmesh palestineze brenda Izraelit, në të cilat u vranë 19 persona pranverën e kaluar. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, ky vit është më vdekjeprurësi që nga viti 2015, me 124 të vrarë. Izraeli thotë se bastisjet synojnë të çmontojnë infrastrukturën militante dhe të parandalojnë sulmet e ardhshme dhe se është detyruar të veprojë për shkak të mosveprimit të forcave palestineze të sigurisë.

Palestinezët thonë se inkursionet në qytetet e tyre kanë forcuar kontrollin e Izraelit mbi tokat që ata i dëshirojnë për shtetin e tyre. OKB-ja thotë se forcat izraelite e sulmojnë kampin al-Aroub më shpesh se çdo kamp tjetër refugjatësh në Bregun Perëndimor./VOA