“Katar 2022”/ Tifozët e dehur do të dërgohen në vendet e veçanta për t’u kthjellur

Shefi i Kampionatit Botëror “Katari 2022”, Nasser Al Khater, ka deklaruar se do të ketë zona të veçanta në turne për tifozët e dehur të futbollit.

Përdorimi ose jo i alkoolit gjatë Botërorit vazhdon të jetë një temë e përfolur.

Shitja e alkoolit në Katar do të zhvendoset nga baret e hoteleve në zonat e tifozëve dhe jashtë stadiumeve.
Katari është një vend kryesisht mysliman ku pirja publike e alkoolit është e kufizuar dhe tani është vendosur që të kontrollohet në një mënyrë dehja publike, që shihet si një alternativë para se të ketë nevojë që të arrestohet dikush.

“Ka plane që njerëzit të kthjellohen nëse kanë pirë së tepërmi. Është një vend për t’u siguruar që ata e mbajnë veten të sigurt dhe se nuk janë të dëmshëm për askënd tjetër”, tha për “Sky News” Al Khater, i cili është shef ekzekutiv i komitetit që merret me organizimin e Botërorit.

Është raportuar se tifozët që përfundojnë në një të ashtuquajtur “vend për t’u kthjellur” do të qëndrojnë aty derisa të jenë në gjendje për t’u liruar.

Kujtojmë se Kampionati Botëror “Katar 2022” do të zhvillohet në datat 20 nëntor – 18 dhjetor.