Barcelona planifikon rikthimin e 20-vjeçarit të huazuar te Valencia

Barcelona raportohet se është duke e planifikuar rikthimin e Nico Gonzalezit.

Mesfushori është i huazuar nga katalunasit te Valencia. Marrëveshja vlen deri më 30 qershor 2023.

Megjithatë, sipas “Jijantes”, presidenti i klubit, Joan Laporta, dhe drejtori sportiv, Mateu Alemany, u takuan të enjten me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, në Barcelonë.
Ndër çështjet e diskutuara Gonzalez. Thuhet se Barcelona po shqyrton përpjekjen për të tërhequr spanjollin nga huazimi i tij te Valencia që në janar.

20-vjeçari u largua nga “Camp Nou” këtë verë nga frika se nuk do të merrte minuta të mjaftueshëm, megjithatë gjërat nuk kanë shkuar siç duhet për të nën drejtimin e Gennaro Gattuso.

Në tre ndeshjet e fundit, ai ka luajtur vetëm 40 minuta. Madje, në ndeshjen e fundit kundër Osasunas, Gonzalez u la jashtë nga Gattuso.

Nico synon ta korrigjojë këtë, por mund të ketë disa lëvizje nëse situata nuk ndryshon përpara Kampionatit Botëror.

Me rikthimin e tij te Barcelona, Xavi thuhet se synon që të zëvendësojë Sergio Busquetsin, i cili edhe ashtu pritet të largohet pas përfundimit të këtij sezoni.

Nuk përjashtohet as mundësia që Barça ta huazojë Nico Gonzalezin diku tjetër, ku do të kishte më shumë minuta.