Mërgim Berisha e ka gjetur rehatinë në futbollin gjerman, ku u rikthye gjatë verës që shkoi.
Sulmuesi kosovar u huazua në Augsburg nga Fenerbahçe pas eksperiencës jo dhe aq pozitive në futbollin turk.
Tash, 24 vjeçari shpreson që klubi gjerman ta gjejë gjuhën e përbashkët me atë turk për ta blerë kartonin e tij pasi lojtari nga Suhareka dëshiron të luajë gjatë në Augsburg.
“Mund ta them me siguri: ndihem mjaft mirë dhe mund ta imagjinoj shumë mirë që mund të qëndroj këtu shumë gjatë. Përgjegjësit më kanë dhënë gjithmonë sinjale që duan të më marrin. Kjo ma jep një ndjenjë mjaft të mirë”, u shpreh futbollisti kosovar për “Sport Bild”.
Së fundmi, sulmuesi kosovar e shënoi golin e fitores ndaj Bayern Munichut në Bundesligë.
Ish-përfaqësuesi i ekipit U-21 të Gjermanisë gjithashtu shpreson t’i jepet mundësia për ta përfaqësuar ekipin senior gjerman në Botërorin e Katarit.