Kahn: E diskutuam shkurtimisht dhe e hodhëm poshtë shpejt mundësinë për të nënshkruar me Ronaldon

Oliver Kahn ka thënë se kampionët gjermanë “e hodhën poshtë shpejt” një lëvizje të mundshme për Cristiano Ronaldon gjatë afatit kalimtar të verës.

Portugezi kishte kërkuar që të largohej nga Manchester Unitedi në afatin kalimtar të verës, por kjo nuk ndodhi dhe ai vazhdon të jetë ende pjesë e skuadrës angelze.

Pati një mori spekulimesh rreth të ardhmes së Ronaldos gjatë verës, me Bayernin që ishte një nga klubet e lidhura me të.

Shefi ekzekutiv i klubit gjerman, Oliver Kahn, ka thënë se brenda klubit “diskutuan shkurtimisht” lidhur me transferimin e 37-vjeçarit, por nuk iu desh shumë kohë që zyrtarisht ta përjashtonin veten nga gara.
“Ne diskutuam shkurtimisht për Ronaldon te Bayerni. Sigurisht, superyjet si Ronaldo janë një faktor i rëndësishëm në tërheqjen e vëmendjes në ligë. Ai është një nga më të mëdhenjtë e dekadës së fundit. Por ne e hodhëm poshtë shpejt këtë mundësi”, tha ai për “Bild”.

Paris Saint-Germaini e Chelsea u raportua se janë klubet tjera që refuzuan mundësinë për të nënshkruar me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.

Ndryshe, Ronaldo me “Djajtë e Kuq” ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023.

Në marrëveshjen e tij me Manchester Unitedin ekziston edhe opsioni për zgjatje të kontratës edhe për një tjetër sezon.