“Bomba” nga Gjermania/ Pas aleancës me Berishën, Partitë Socialiste Europiane shpallin “non grata” Ilir Metën
Partitë Socialiste Europiane kanë përjashtuar nga rrethi i tyre Ilir Metën. Më 14 dhe 15 tetor do të mbahej në Gjermani kongresi i PES dhe Partia e Lirisë ka shfaqur interes për të marrë pjesë në të.
Por mësohet se në adresë të kësaj partie ka ardhur një email, kur refuzohet pjesëmarrja e Ilir Metës dhe e partisë që ai drejton.
“I dashur Ilir, Faleminderit për interesin tuaj në Kongresin e PES, që do të mbahet në Berlin në 14-15 tetor. Gjithsesi, si rezultat i vendimit dhe aleancës suaj të fundit politike, ne ju kërkojmë që të mos merrni pjesë në Kongres. Kongresi i PES pret prezantime nga parti progresiste për të shpërndarë vizionin e tyre për politikat Europiane që janë të bazuara në vlerat tona thelbësore, demokracia, liria, barazia, paqja dhe drejtësia. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Ju luten kini parasysh që nuk ishte një vendim i lehtë”, thuhet në mesazh.
Nëse shihet me kujdes emaili, duket qartë se ky vendim ka ardhur pas aleancës së Ilir Metës me Sali Berishën. Ky i fundit është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania dhe PSE nuk mund të pranojë në gjirin e saj dikë që bashkëpunon me një person të padëshiruar. Ndoshta ky është dhe një sinjal se ish-presidenti po shkon drejt gjurmëve të aleatit të tij. Para se të dilte nga Presidenca u fol gjatë se “non grata” për të është gati. Të parët që e shpallën të padëshiruar janë Partitë Socialiste Europiane, por ndoshta do kemi dhe të tjerë.
Partitë Socialiste Europiane, është një grupim që përmbledh të gjitha partitë e majta. Pjesë e saj kanë qenë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Është një grupim i ngjashëm me Partitë Popullore Europiane, ku bëjnë pjesë partitë e djathta. Por duket se tani në PSE do bëjë pjesë vetëm Partia Socialiste, pasi Partia e Lirisë dhe Ilir Meta, do jenë të përjashtuar nga çdo lloj aktiviteti.