Shqipëria e zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes me Islandën, mungoi Arlind Ajeti

Shqipëria e zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes me Islandën, mungoi Arlind Ajeti

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot në Durrës seancën zyrtare stërvitore në prag të përballjes ndaj Islandës e vlefshme për kompeticionin e Ligës së Kombeve.

Nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja kuqezinjtë janë stërvitur për rreth 1 orë nën reshjet e shiut për të përgatitur sfidën e fundit të këtij edicioni, që do të luhet të martën në ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Në këtë seancë të fundit kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët me përjashtim të mbrojtësit Arlind Ajeti, i cili ka pasur probleme shëndetësore dhe mbetet për t’u vendosur nga stafi mjekësor nëse do të jetë i gatshëm për ndeshje.

Federata Shqiptare e Futbolli njoftoi se stafi teknik ka provuar vendosje të ndryshme taktike dhe ka punuar më shumë në këtë aspekt me shumë pak ngarkesa fizike. Pasi të ketë verifikuar gjendjen fizike të lojtarëve trajneri Reja do të vendosë edhe për formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Islandës. Në rast fitoreje ndaj Islandës, përfaqësuesja kuqezi do të renditet në vendin e dytë të grupit në Ligën B.

Kjo do të jetë ndeshja e fundit zyrtare e Shqipërisë për këtë vit, teksa në muajt tetor dhe nëntor do të ketë disa miqësore. Deri më tani janë konfirmuar miqësoret me Arabinë Saudite (26 tetor) dhe me Italinë (16 nëntor).