Kurti kujton 23 anëtarët e familjes Deliu që u masakruan nga forcat serbe në vitin 1998

Kryeministri Albin Kurti, në 24 vjetorin e masakrës, i ka kujtuar 23 anëtarët e familjes Deliu nga fshati Abri e Epërme të Drenasit, të cilët u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se trashëgimia e luftës është përgjegjësi edhe e institucioneve të Kosovës.

“Mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa totale dhe çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm”.

“Çdo vit më 26 shtator, në përvjetorët e masakrës së Abrisë, kujtohem që 23 të vrarët e kësaj masakre nuk mund të përkujtohen pa Imer Deliun, familjarin e gjallë të tyre që jeton mes nesh. Është ai që na ka rrëfyer me shumë dinjitet atë çfarë ndodhi më 26 shtator 1998, ashtu siç ai i pa kur i gjeti kufomat e familjarëve dhe të afërmve të tij të masakruar nga trupat serbe. Që nga atëherë, dëshmia e Imer Deliut ka mbetur pa u marrë në shqyrtim nga drejtësia ndërkombëtare dhe ende askush nuk është akuzuar për masakrën e Abrisë”.

“Trashëgimia e luftës së Kosovës është përgjegjësi edhe e institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj ne nuk harrojmë dhe do të punojmë për njohjen e gjithë historisë së luftës së Kosovës dhe adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë. Lavdi martirëve të masakrës së Abrisë dhe i përmotshëm qoftë përkujtimi i të gjallëve për ta!”,ka shkruar Kurti.

Për t’i evidentuar dhe kujtuar, në masakrën e Abrisë u vranë nga forcat serbe:
Fazli Deliu (1904);
Pajazit Deliu (1929);
Ali Deliu (1930);
Sherif Deliu (1931);
Hava Deliu-Elshani (1936);
Hamide Deliu (1938);
Mihane Deliu (1943);
Habib Deliu (1944);
Hysen Deliu (1946);
Zeçir Deliu (1954);
Hajriz Deliu (1964);
Adem Deliu (1965);
Lumnije Deliu (1969);
Zahide Deliu (1971);
Luljeta Deliu (1971);
Mihane Deliu (1982);
Antigona Deliu (1984);
Jeton Deliu (1988);
Gentiana Deliu (1990);
Donjeta Deliu (1991);
Mendohije Deliu (1993);
Valmir Deliu (1996);
Diturije Deliu (1998).