Italia fiton dhe mban hapin me liderët e grupit, Anglia bie nga Liga A

Italia ka shënuar fitore ndaj Anglisë dhe tani mban gjallë shpresat për të rrëmbyer pozitën e parë në Grupin 3 të Ligës A në Ligën e Kombeve

Të përzgjedhurit e Roberto Mancinit shënuan fitore minimale ndaj “Tre Luanëve”.

Ndeshja e zhvilluar sonte në “San Siro” përfundoi me rezultatin 1:0.

Golin e vetëm dhe të fitores për kampionët e Evropës e shënoi Giacomo Raspadori, në minutën e 68-të.

Italia pas kësaj fitore ka 8 pikë dhe renditet e dyta në grup, me vetëm dy pikë më pak se liderët, Hungaria.

Ndeshja e fundit në fazën e grupeve, Hungari – Itali, që do të zhvillohet pas tri ditësh, do të jetë edhe përcaktuese për pozitën e parë.

Kurse, Anglia mbetet e fundit në grup me vetëm 2 pikë, katër më pak se Gjermania që është e treta.

Kësisoj, anglezët si të fundit në grup, në sezonin e ardhshëm do të bëjnë gara në Ligën B.