Bayern Munich do ta presë në “Allianz Arena” Barcelonën në xhiron e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Humbja 8:2 e para dy viteve është ende e freskët në kujtesën e katalonasve, e po ashtu edhe humbjet që i pësuan sezonin e kaluar, pikërisht në këtë fazë.
Por, tani Barcelona është përmirësuar dukshëm, madje ka në vete ish-yllin e Bayern Munichut, Robert Lewandowskin.
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez deklaroi se Lewandowski është shumë i motivuar dhe i freskët për këtë përballje.
“E shoh Robertin shumë mirë, është shumë i motivuar, ka pushuar dhe do të jetë i freskët. Mendoj se do të jetë shumë e veçantë për të. Ai është i qetë, transmeton besom dhe është një lider natyral për ekipin”, ka thënë tekniku spanjoll.