Edhe ndeshjet e javës së ardhshme në Premierligë mund të shtyhen

Premierliga mund të pushojë edhe në javën e ardhshme, shkaku i vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

Këtë të premte u njoftua për vendimin që anulohen të gjitha ndeshjet e javës së shtatë, të parapara për t’u zhvilluar këtë fundjavë – derisa më vonë do të caktohen datat e reja për ndeshjet e kësaj jave.

Mirëpo, tani raportohet se ekziston mundësia që të mos zhvillohen as ndeshjet e javës së tetë, të cilat janë në program për t’u zhvilluar në javën e ardhshme.

“Telegraph” ka raportuar se ka shqetësime të mëdha për ndeshjet e datave 16, 17 dhe 18 shtator. Kjo për faktin se funerali i Mbretëreshës pritet të bëhet më 19 shtator, në Londër, dhe mund të çojë në rishpërndarjen e policisë, duke çuar në mungesën e policisë në dispozicion për ndeshjet.
Në javën e tetë takohen Brentford – Arsenal, Chelsea – Liverpool dhe Manchester United – Leeds United, ndeshje të cilat vlerësohen që mund të sjellin probleme mes tifozëve, dhe për këtë arsye duhet të ketë prani më të madhe të forcave policore.

Kurdo që do të merret vendimi përfundimtar, ai do të vlejë edhe për ndeshjet e niveleve tjera në futbollin anglez.

Nëse edhe ndeshjet e javës së ardhshme do të anulohen, atëherë do të ketë një mungesë më të gjatë në futbollin anglez, pasi pas datës 19 shtator do të zhvillohen disa ndeshje miqësore të nivelit të Kombëtareve.