U16, Maqedonia e Veriut barazoi me Slloveninë, trajneri Beari: Patëm raste, por nuk i realizuam (FOTO)

Reprezentacioni U16 i Maqedonisë i udhëhequr nga seleksionuesi Dashmir Beari ka luajtur 0-0 kundër moshtarëve të tyre nga Sllovenia, dje në miqësoren e parë që u zhvilua në stadiumin e FC Shkupi në Çair.

Të zgjedhurit e trajnerit Beari kanë treguar një paraqitje të mirë, duke krijuar disa raste të mira për gol. Vlen të theksohen rastet e mira të Hisar Ali dhe Stefan Mladenovskit në pjesën e parë, por porta e mysafirëve mbeti e paprekur.

Në anën tjetër edhe kundërshtari provonte të rrezikonte portën e Onur Beshirit, megjithate ky i fundit ishte i vëmendshëm.

Në pjesën e dytë, trajneri Beari bëri disa zëvendësime në fushë, por ndryshim të rezultatit nuk pati, edhe pse kishte mundësi të mira për gol.

Inkuadrimi në lojë i Furkan Hirdës u prit me duartrokitje nga publiku, pasi ky lojtar është pjesë e shkollës së FC Shkupi. Pikërishtë, ky i fundit sapo hyri në lojë pati një rast të mirë për të rrezikuar portën e miqve, por në vend se të shutoj, ai vendosi të shërbej një bashkëlojtar të rij dhe rasti u huq.

“Ishte ndeshje e mirë, jam i kënaqur. Kishte edhe një penallti të pastër për ne, e cila nuk u akordua. Gjithashtu kishim edhe dy raste, por që nuk i realizuam”, deklaroi për Open-TV trajneri Dashmir Beari.

 

Këto dy reprezentacione do të takohen edhe ditën e enjte po në stadiumin e Cairit me fillim prej orës 16:30 minuta./Open-TV.