Armando Broja ka një mesazh për Aubameyang pasi gabonezi erdhi në ekipin e Chelsea

Sulmuesi i talentuar shqiptar, Armando Broja, ka mirëpritur sulmuesin më të ri të Chelsea, Pierre-Emerick Aubameyang.

Pas ndeshjes ndaj West Ham, Broja u shpreh se mezi pret të mësojë nga profesionalizmi i Auybameyang.

“Ai është një lojtar i madh. Ai ka bërë shumë në karrierën e tij deri më tani dhe tani që ai ndodhet te Chelsea, mund të mësoj shumë prej tij. Aubameyang ka bërë shumë mirë te Dortmund, Arsenal dhe Barcelona, kështu që ai është një përforcim shumë i mirë për klubin dhe ekipin.

Jam i emocionuar të mësoj prej tij, është mirë të kesh konkurrencë në ekip”, u shpreh Armando Broja.

Armando Broja ka qenë një emër shumë i nxehtë në merkato, me Chelsea që kanë refuzuar çdo ofertë të ardhur për të. Sulmuesi shqiptar tani është gati të lërë pas spekulimet e merkatos dhe beson tek aftësitë e tij për të luajtur për klubin që ka mbështetur që kur ishte më i vogël.

“Ju shihni spekulime në lajme, por unë jam këtu tani te Chelsea dhe kam firmosur kontratën time të re, kështu që jam i lumtur që jam në këtë klub të mrekullueshëm. Unë kam qenë gjithmonë një person me vetëbesim, kështu që është e rëndësishme ta mbaj këtë dhe të mbetem i sigurt. Do të bëj më të mirën në fushë dhe jashtë saj në çdo mënyre që të mundem. Besoj se mundem”, ka përfunduar Broja.