Rasti i trishtë i kampionit të botës/ Griezmann në kërkim të minutave që Atletico nuk ia jep

Nuk ka rrugë të mesme, Atletico Madrid mund të vendosë ta blejë ose ta rikthejë te Barcelona në fund të sezonit. Gjatë ndeshjeve të para të këtij sezoni, Antoine Griezmann është aktivizuar me “pikatore” me fanellën e skuadrës së Cholo Simeones për shkak të një klauzole në kontratën e huazimit që e detyron klubin madrilen ta blejë për 40 milionë euro në fund të dy sezoneve nëse është aktivizuar më shumë se 45 minuta mesatarisht në çdo ndeshje.

Zërat mediatikë për sjelljen jo normale të klubit dhe trajnerit janë ritur pasi minutat në favor të francezit kanë qenë të pakta dhe sipas vetë klubit katalanas, Atletico po e bën këtë qëllimisht pasi nuk dëshiron ta blejë sulmuesin. Vetë Griezmann këmbënguli për të mos ndryshuar destinacion duke kërkuar të bindë drejtuesit dhe trajnerit se ai e meriton vendin por situata e tij sot është kjo.

Kampioni i botës vazhdon t’i nisë ndeshjet nga stoli dhe kjo situatë mund të bëhet e komplikuar në të ardhmen për skuadrën e Simeones. “Unë jam një njeri ekipi”, theksoi trajneri argjentinas kur u pyet për minutazhin e Griezmann, duke evituar komentet për një çështje delikate, sot një “bombë” e fjetur por nëse shpërthen mund të bëjë dëme të mëdha në klubin bardhekuq.