Dy ekipet e vetme me pikë të plota, sot përcaktohet kreu i La Liga, Ancelotti: Jemi gati, ndjenjë e mirë që kthehemi në “Bernabeu”
Pas tre ndeshjeve në transfertë në La Liga, Real Madridi rikthehet të luajë në “Santiago Bernabeu” dhe këtë do ta bëjë me kundërshtarin më të fortë të momentit, Real Betis, që po ashtu ka 3 fitore në 3 ndeshje.
Një ndeshje që do të përcaktojë vendin e parë në renditje, pasi dy ekipet janë me pikë të barabarta.
Tekniku Ancelotti ka dalë në konferencë për shtyp para kësaj ndeshjeje, ku fillimisht foli për kundërshtarin dhe më pas edhe për rikthimin në shtëpi.
“Ndjenjë e mirë. Kemi pasur momente të bukura në “Bernabeu” vitin e kaluar dhe shpresojmë që të jetë e njësoj po këtë sezon. Është një lojë e vështirë kundër një kundërshtari që do të konkurrojë fort. Le të shohim nëse do të na ndalë.
Ideja jonë nuk ndryshon, duam të ruajmë të njëjtin identitet. Në shtëpi duam të jemi më intensivë dhe agresivë, por identiteti ynë nuk ndryshon. Betisi është në formë të mirë dhe ka besim, por ne jemi gati. Tani fillon sezonin, sepse ne luajmë çdo tri ditë”
Trajneri i Kampionëve të Evropës ka folur edhe për favoritët në La Liga.
“Çdo sezon ka dinamikën e vet, mendoj se La Liga do të jetë më konkurruese. Ne kemi një skuadër shumë të mirë në të gjitha pozicionet dhe do të garojmë dhe luftojmë”, përfundoi ai.