Ancelotti tregon se cilët futbollistë mund të mbyllin karrierën te Real Madridi

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se klubi është i gatshëm të vazhdojë kontratat me disa nga futbollistët kryesorë.

Trajneri italian përmendi disa nga futbollistët, që sipas tij, mund të jenë pjesë e klubit deri në fundin e tyre të karrierës.

“E ardhmja e klubit dhe lojtarëve si Modric, Kroos, Benzema apo Nacho është e qartë. Nëse ata duan të qëndrojnë, ata do të jenë në Real për pjesën tjetër të karrierës së tyre. Kjo është ajo që ata dhe klubi synojnë. Ne kishim shumë lojtarë me kontrata të skaduara. Kjo ka ndodhur sepse klubi po vëzhgon situatën e tij ekonomike. Dhe lojtarët nuk duan të rrezikojnë të ardhmen. Por për veteranët tanë, gjithçka është shumë e qartë”, tha ai.

“Secili lojtar ka mendimin e tij. Mund të luash gjatë gjithë kohës në një ekip që nuk lufton për të gjitha trofetë si Real Madridi, ose mund të futesh në fushë më rrallë, por të jesh një lojtar i rëndësishëm”, shtoi 63-vjeçari.

“Shkalla e rëndësisë së një lojtari nuk matet nga numri i ndeshjeve, por nga lloji i lojërave në të cilat ai është i përfshirë. Të gjithë lojtarët e Real Madridit janë të motivuar. Lojtarët që ishin më rrallë në fushë do të luajnë një rol vendimtar. Një pjesë e madhe e suksesit sezonin e kaluar ishin ata lojtarë që nuk ishin në formacionin titullar në çdo ndeshje”, deklaroi Ancelotti.

Kujtojmë se pavarësisht moshës së tyre, Luka Modric (36), Toni Kroos (32), Karim Benzema (34) dhe Nacho (32), vazhdojnë të jenë prej futbollistëve kryesorë te “Los Blancos”.

Të katër futbollistët e lartpërmendur dhanë kontribut të madh sidomos në sezonin 2021/22, ku Real Madridi u shpall kampion i Evropës, si dhe i Spanjës.