U burgos për batutën me shkollën fetare ku studioi Erdogan, lirohet ylli turk i popit

Këngëtarja turke Gülsen, e cila u burgos për “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë” pasi bëri një shaka për shkollat fetare në Turqi do të lirohet nga burgu.

Një gjykatë në Stamboll vendosi zbutjen e masës së sigurisë në “arrest shtëpie” për yllin e popit, njoftoi të hënën agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Arrestimi i këngëtares së njohur kishte shkaktuar zemërim të madh te artistët.

Gülsen Bayraktar Colakoglu, siç është emri i saj i plotë, u arrestua të enjten e kaluar pasi i tha me shaka një kolegu në një koncert në prill se “perversiteti” rezultat i faktit se ai ndoqi një shkollë Imam Hatip.

Shkollat ​​Imam Hatip janë institucione arsimore shtetërore që fokusohen në edukimin fetar. Nxënës i një shkolle të tillë ishte edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Për shkak të rritjes së numrit të shkollave fetare, kritikët e qeverisë së AKP-së akuzojnë për islamizim të Turqisë laike.

Sipas raportimeve të mediave, Gylsen akuzohet për nxitje publike të urrejtjes. Mediat pranë qeverisë së fundmi kanë publikuar një video me këto deklarata dhe kanë kritikuar ashpër këngëtaren.

Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag i quajti deklaratat e saj “një padrejtësi të madhe”, sipas transmetuesit shtetëror TRT.

Ndërkohë artistë të shumtë, politikanë të opozitës dhe shoqata të tjera kishin bërë thirrje për lirimin e Gülsen dhe kritikuan burgosjen e saj si të paligjshme, përfshirë edhe këngëtarin e famshëm Tarkan.

Paraburgimin e kishin dënuar edhe anëtarë të partisë në pushtet. Gülsen njihet për solidaritetin e saj publik me LGBT+ dhe për këtë është kritikuar disa herë nga qarqet fetare dhe pro-qeveritare.