Aktorja 95-vjeçare kandidon në zgjedhjet e Italisë me një parti kundër sistemit

Aktorja italiane Gina Lollobrigida, 95 vjeçe, ka vendosur të provojë sërish fatin në politikë dhe do të dalë si kandidate për Senat në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do të mbahen në vendin transalpin më 25 shtator.

Diva e ekranit ka siguruar se është futur në këtë aventurë elektorale pasi është lodhur duke parë sesi politikanët grinden mes tyre, pa arritur askund: “Për sa kohë që kam energji, e përdor për gjëra të rëndësishme, veçanërisht për vendin tim”.

Ylli i filmit, e cila ka shpallur kandidaturën e saj vetëm një muaj pas ditëlindjes së 95-të, do të konkurrojë me një listë të re zgjedhore, të quajtur “Italia Sovrane dhe Popullore”, e cila bashkon disa formacione të vogla si Partia Komuniste, Aksioni Civil apo Atdheu Socialist.

Ideologjia e këtij grupimi është, ndër të tjera, anti-sistem, komuniste dhe euroskeptike. Drejtuesit e eksperimentit politik janë Marco Rizzo, sekretar i Partisë Komuniste dhe Antonio Ingroia, një ish-gjyqtar kontrovers italian, i cili është edhe avokati personal i Lollobrigidës.

Ai e ndihmon atë në luftën gjyqësore që aktorja e suksesshme ndërkombëtare ka hapur me djalin e vetëm Milko Skofiç dhe nipin Dimitri për menaxhimin e pasurisë së saj. Të dy akuzojnë sekretaren personale të divës, Andrea Piazzolla, 34 vjeçe, se ka shpërdoruar pasuritë e saj duke përfituar nga mosha e shtyrë dhe gjendja psikologjike.

Përveç kësaj, të afërmit prej vitesh tentojnë ta skualifikojnë yllin e filmit për shkak se i ka dhënë një pjesë të madhe të pronave të saj asistentes. Kjo e fundit, sipas kërkesës së të afërmve të artistes dhe prokurorisë së Romës, po gjykohet për shpërdorim të pasurive të divës.

Në gjithë këto vite beteje në gjykata, Lollobridiga është mbrojtur gjithmonë duke pretenduar se është “krejt e kthjellët” të dijë se çfarë të bëjë me asetet e saj. Në mes të kryqëzimit të akuzave, një gjykatës urdhëroi disa vite më parë që pasuria e aktores të menaxhohej nga një administrator special deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Aktualisht, avokati po përpiqet t’i kthejë aktores frenat e menaxhimit të plotë të pasurisë së saj të madhe.