Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në deklaratën e tij pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Jens Stoltenberg, ka thënë se reciprociteti me targa me Serbinë duhet të zbatohet.
“Nuk ka ndonjë alternativë tjetër, dhe besoj se është në dobi të të gjithë neve që të bëjmë cdo gjë legjitime në vendin tonë”, u shpreh ai në konferencën për media pas takimit me Stoltenberg.
Kurti tha se ky është veprim legjitim nga ana e Kosovës.
“Kemi marrë vendim bërë të ia mundësojmë të gjithë qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës ndërrimin e tabelave të cilat janë të njëjtat nga viti 1999, të njëjtat si në kohën e Millosheviqit, që t’i konvertojnë ato në tabela legjitime, të regjistrimit që janë me akronimin RKS”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kryeministri ka përmendur edhe kampanjën informuese që po zbaton Kosova për informim ndaj qytetarëve serbë.
“Në këtë drejtim, ne kemi nisur një kampanjë për të informuar qytetarët serbë, por edhe kemi krijuar një lloj stimuli financiar, pasi gjatë ndërrimit të tabelave, qytetarët serbë nuk do të duhet të paguajnë TVSH-në, doganën apo akcizën që mund të shkojë deri në 5,000 euro. Do të vazhdojmë me këtë kampanjë informuese, si dhe do të implementojmë këtë lloj konvertimi apo ndërrimi të tabelave”.