Rusia bombardon zonat e banuara në Ukrainë, viktima e të plagosur

Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se ushtria ruse ka bombarduar zona të banuara në gjithë Ukrainën, ndërsa luftëtarët e tyre kanë goditur urën e fundit të punës mbi një lumë në Ukrainën jugore nën kontrollin rus, duke dëmtuar aftësinë e Rusisë për të rifurnizuar ushtrinë e saj.

Kryebashkiaku i qytetit Kramatorsk tha se një sulm rus me raketë shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e 13 të tjerëve të premten mbrëma. Kramatorsku është baza lindore e ushtrisë së Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të shtunën se forcat e saj kishin marrë kontrollin e një fshati në periferi të qytetit të Donetsk, kryeqyteti i rajonit të cilin separatistët pro-Moskës e kanë pretenduar që nga viti 2014.

Ndërsa, ditën e djeshme, Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski u ka bërë thirrje zyrtarëve që të mos flasin me gazetarët për taktikat ushtarake kundër Rusisë.

Deklarata e Zelenskit vjen teksa spekulimet po vazhdojnë lidhur me shkakun e një serie shpërthimesh më herët gjatë kësaj jave në bazën ajrore ruse në Krimenë e aneksuar.