VIDEO/ Britaniket shohin vdekjen me sy në dhomën e hotelit në Korfuz

Tre turiste britanike janë përballur me momente tmerri gjatë pushimeve të tyre në Cavos të Korfuzit pak ditë më parë. Kondicioneri i dhomës së tyre mori flakë duke i rrezikuar jetën seriozisht tre të rejave, të cilat e shpjeguan në DailyMail eksperiencën e tyre të frikshme.

Vajzat 21-vjeçare nga Birmingham, Alicia McNamara, Megan Kennedy dhe Faye Turberville, zgjodhën Korfuzin për pushimet e tyre pa e ditur se jeta e tyre do të vihej në rrezik.

Ato thanë se kishin njoftuar dy herë punonjësit e hotelit për problemin që kishte kondicioneri, por nuk kishin marrë asnjë përgjigje.

“Ne të gjithë ishim duke fjetur kur dëgjova Meganin duke na bërtitur, ‘Zjarr, zjarr. Dilni tani”, përshkroi Alicia McNamara momentet e frikshme në dhomën e hotelit pasi panë që kishte rënë zjarr.

“Ngrita sytë dhe pashë që kondicioneri ishte në flakë. U ngritëm nga shtretërit dhe vrapuam drejt derës. Në panik e sipër nuk po gjeja çelsat, ndërsa flakët ishin përhapur kudo”, shprehet ajo.

Ajo që i shqetësoi britaniket ishte se alarmi i zjarrit nuk u aktivizua automatikisht.

Sipas McNamara, më në fund ishin disa punonjës të hotelit që kuptuan se kishte rënë zjarr dhe morën zjarrfikësit për ta fikur.

Zjarri shkatërroi të gjitha sendet e pushuesve britanike, ndërsa ato janë të gëzuara që shpëtuan gjallë.