Një grup studentësh ukrainas në universitetin “Stanford” të Kalifornisë zbuluan se mund të ndihmonin atdheun e tyre duke ofruar këshilla mjekësore dhe psikologjike për banorët e prekur nga lufta.
Më shumë se se 75 mjekë specialist i janë bashkuar organizatës “TeleHelp Ukraine” për t’iu ardhur në ndihmë përmes internetit banorëve të Ukrainës dhe atyre që tashmë janë zhvendosur në Poloni. Le të ndjekim materialin e korrespodentes së Zërit të Amerikës, Khrystyna Shevchenko.
Florence Thiry, mjeke në profesion, jeton dhe punon në Palo Alto të Kalifornisë. Javët e fundit, ajo ka ofruar konsultime mjekësore falas në internet për ukrainasit që kanë qenë ose janë pranë vijës së parë të luftës së nisur nga Rusia.
“Unë flas me fëmijë, por edhe me të moshuar dhe të rritur apo edhe me studentë. Kryesisht ata më pyesin: ‘Çfarë mund të bëj nëse nuk kam mjekim?’ Është një problem shumë i madh, ata nuk mund të gjejnë medikamentet që përdornin më parë, kështu që unë përpiqem t’i ndihmoj ata të trajtojnë problemin e tyre pa mjekim”, thotë ajo.
Zonja Thiry merr pjesë në projektin “TeleHelp Ukraine” organizuar nga studentë dhe profesorë ukrainas në Universitetin “Stanford”. Nëpërmjet këtij programi, mjekët në SHBA ofrojnë konsultime mjekësore falas në internet për banorët e Ukrainës si dhe për ata që janë zhvendosur në Poloni.
Solomiia Savchuk, e cila është studente në universitetin “Stanford” drejton këtë projekt.
“Ka shumë mjekë amerikanë, me shumë përvojë, të cilët nuk mund të fluturojnë në Poloni apo Ukrainë dhe të ndihmojnë. Por ajo që ata bëjnë, është se për disa orë në javë në mënyrë vullnetare japin konsultime falas online ose mbështetje psikologjike për ukrainasit që nuk mund të kontaktojnë me mjekët e tyre të zakonshëm në Ukrainë, sepse mjekët vendas janë shumë të zënë me luftën”, tregon Solomiia Savchuk për Zërin e Amerikës.
Organizata “TeleHelp Ukraine” punon me një gamë të gjerë mjekësh: nga mjekë të përgjithshëm, kardiologë, neurologë, dermatologë deri mjekët psikiatër. Kjo organizatë synon të ndihmojë njerëzit që janë pranë zonave të luftës dhe që nuk kanë mundësi të shkojnë në spitale apo të flasin me një mjek.
“Nëse një person ka një sëmundje kronike ose nuk ka mjekim dhe duhet të fillojë të marrë një mjekim të ri, ose ndoshta ka nevojë për një konsultë mjekësore, ndoshta fëmija i tyre është sëmurë, atëherë ata na kontaktojnë neve”, tregon Solomiia Savchuk, drejtuese e organizatës “TeleHelp Ukraine”.
Shumë ukrainas kanë nevojë për mbështetje psikologjike. TeleHelp Ukraine ka mbi 20 psikologë vullnetarë. Ata thonë se të rinjtë veçanërisht kanë nevojë për mbështetje dhe për të ditur se mund të rindërtojnë jetën dhe vendin e tyre.
“Kanë shumë depresion, ankth… Shumë prej tyre ndihen në faj sepse duan të ndihmojnë dhe mendojnë se nuk po bëjnë sa duhet për të ndihmuar. Unë mendoj se lufta ka përkeqësuar shumë probleme që njerëzit kishin përpara”, thotë psikologia Anaid Atasuntseva.
Mbi 75 mjekë marrin pjesë në projekt, me ndihmën e përkthyesve të certifikuar.