Zelensky pas dërgesës së parë me grurë: Rusisë s’i zihet besë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mirëpritur dërgesën e parë me grurë nga porti i Odesas që prej kur Rusia nisi pushtimin e këtij shtetit.

“Porti nisi së funksionuari, eksporti ka nisur dhe kjo mund të quhet si sinjali i parë pozitiv se ka një mundësi për të ndaluar krizën e ushqimit në botë”, ka thënë Zelensky në një videoadresim, raporton CNN, transmeton KlanKosova.tv.

“Nuk mund të ndodhemi në ndonjë iluzion që Rusia thjeshtë do të ndalë së provuari që t’i pengojë eksportet ukrainase. Rusia në vazhdimësi ka provokuar urinë në vendet e Afrikës dhe Azisë, të cilat tradicionalisht kanë importuar sasi të konsiderueshme të ushqimit nga Ukraina. Rusisë s’i zihet besë”.

“Tani, në kushte të të nxehtit ekstrem, si këtë vit në Evropë, kërcënimi i krizës së çmimeve dhe mungesa e ushqimeve të caktuara është po ashtu e pranishme në vendet evropiane”.

Zelensky ka thënë se tani janë 16 anije që pritet të ngarkohen.

“Ne jemi të gatshëm për të kontribuuar për stabilizimin e tregut botëror të ushqimit”.