Ish-presidenti Donald Trump ka renditur së fundmi hapat që ai do kishte ndjekur nëse do të ishte rizgjedhur president – që sipas tij do ta kishin shmangur luftën.
Së pari, sipas Trump, ‘Ukraina duhet ta kishte përfunduar marrëveshjen me Putinin’.
Trump sugjeroi se Ukraina duhet të kishte bërë një marrëveshje me Presidentin Vladimir Putin për të parandaluar pushtimin e Rusisë në vend.
Gjatë një interviste në podkastin e The Clay Travis & Buck Sexton Show, ish-presidenti sugjeroi se Ukraina mund të kishte “hequr dorë” nga territori i Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014, ose të kishte rënë dakord të mos i bashkohej NATO-s.
Vërejtjet erdhën pasi Trump-it iu kërkua mendimi i tij për fotosesionin e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe gruas së tij, Olena, që bënë për revistën Vogue, e cila u vu në pikëpyetje dhe kritika të shumta duke qenë se u zhvillua ndërsa vendi ishte në luftë.
“Nuk ishte gjëja më e duhur për t’u bërë,” tha Trump, përpara se të parashtronte qëndrimin e tij shumë të përsëritur se pushtimi i Rusisë “nuk do të kishte ndodhur kurrë” nëse ai do të ishte ende president.
“Ai [Putini] nuk do ta kishte bërë atë me mua. Ai nuk do ta kishte bërë atë. Së paku, ata duhet të kishin bërë një marrëveshje,” tha Trump.
“Ata mund të kishin hequr dorë nga Krimea. Ata mund të kishin bërë diçka me NATO-n, ‘Mirë, ne nuk do të anëtarësohemi në NATO’ dhe ju do ta kishit ende shtetin tuaj, sepse besoj se Putini donte të bënte një marrëveshje,” tha Trump.
“Dhe tani nuk mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Mendoj se është shumë më e vështirë të bësh një marrëveshje tani. Ai po hedh në erë të gjithë vendin. Dua të them, ai do të pushtojë të gjithë vendin. Dhe është shumë, shumë e trishtueshme për të parë se çfarë ndodhi me Ukrainën. Shumë, shumë e trishtueshme.”
Trump tha gjithashtu se ai nuk beson se Putin “ka dashur ndonjëherë” të fillojë një luftë me Ukrainën, por tani “ai do të preferonte ta merrte të gjithë vendin, tani që ai filloi”.
Ish-presidenti amerikan shtoi se dërgimi i qindra mijëra trupave nga presidenti rus dhe një sasi e madhe e pajisjeve ushtarake përgjatë kufirit të dy vendeve përpara pushtimit ishte një taktikë “e shkëlqyer negocimi” dhe një mundësi e artë për Perëndimin.
“Dhe ju keni qindra mijëra njerëz – mund të keni miliona njerëz, por keni qindra të vdekur. Dhe kur i shikoni ato ndërtesa të djegura plotësisht, ata njerëz janë të gjithë të vdekur. Keni humbur shumë njerëz. Kjo është një marrëveshje që mund të ishte zgjidhur. Nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Por nëse do të ndodhte, mund të ishte zgjidhur. Ai zhvendosi 200,000 trupa në kufi për të negociuar, dhe ai nuk mundi të bënte një marrëveshje – dhe tani nuk jam i sigurt që mund ta keni shumë të lehtë të bëni një marrëveshje.” – shtoi Trump.
Trump është kritikuar më parë për komentet e tij në nisje të pushtimit të Ukrainës.
Në shkurt, Trump e përshkroi taktikën e Putinit për njohjen e dy republikave të vetëshpallura në Ukrainën lindore dhe dërgimin e trupave ruse në rajone nën maskën e “operacioneve paqeruajtëse” si “gjeniale” dhe “shumë të zgjuar”.
Trump më vonë dyfishoi lavdërimin e tij për presidentin rus pas reagimit të ashpër, duke i thënë një turme në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida se Putin ishte “shumë i zgjuar” pasi ai “kishte marrë nën kontroll një shtet të tërë, sepse gjithçka që Perëndimi mund të bënte ishte ta kërcënonte atë me sanksione me vlerën $2 dollarëshe”.
Sipas Trump, Perëndimi u tregua shumë më i dobët seç duhej.