Ishte nisur të bënte vrasje me pagesë, policia parandalon atentatin në Korçë

Policia në Korçë ka vënë në pranga një të ri që dyshohet se do të kryente vrasje me pagesë. Bëhet e ditur se Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë organizuan operacionin e koduar policor “Matrix” pas informacioneve se një 26-vjeçar, që muaj e fundit kishte dalë nga burgu, mund të kryente një vrasje me pagesë.

Në pranga u vu K. A., 26 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. I riu u lokalizua nga policia në lagjen nr. 14, Korçë.

26-vjeçari, sapo ka kuptuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës. Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu hetimet kanë nisur për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me 26-vjeçarin. Dyshohet se adoleshenti ka qenë në dijeni që personi me të cilin shoqërohej ishte i armatosur, shkruan abcnews.al.