Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka kujtuar veprimtarin Adem Demaçi, në katërvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, madje duke e nderuar atë edhe me homazhe tek varri ku prehet.
Krasniqi thotë se Demaçi ishte një altruist i pashoq, dhe se ai ishte zëri dhe mendimi që përshkonte kohën dhe hapësirën, përcjell Klankosova.tv.
”Katër vjet pa Adem Demaçin – “Të Pathyeshmin” e Kombit!
“Karakteri është fuqi” – thotë autori dhe edukuesi amerikan, Booker T. Washington.
E, në gjashtë virtytet kryesore të karakterit të fortë, të ditur e të pathyeshëm, Adem Demaçi e shënjon secilën prej tyre me sukses të pakrahasueshëm.
Nëse flasim për virtytin e parë, mençurinë dhe diturinë, Adem Demaçi, i cili u botua kur ishte vetëm 22 vjeç, qysh herët e përdori atë për t’u pozicionuar përjetësisht në një kauzë, e cila, përtej gjithçkaje, ishte artikulimi më i lartë i mendimit e vizionit – Lirinë e popullit të tij!
Nëse flasim për guximin – të gjitha i tregon kjo fotografi. Mënyrën se si ai ka jetuar, pa frikë, gjithmonë i gatshëm dhe vullnetar për të thënë atë që mendon e për të bërë atë që askush tjetër nuk guxonte, pavarësisht pasojave.
Nëse flasim për njerëzinë – Adem Demaçi, njeriu i drejtë, fituesi i Çmimit “Saharov”, nuk kishte armiq e as nuk ishte në luftë me askënd. Ai, më shumë se sa për vete, kërkonte lirinë për popullin e tij. Një altruist i pashoq, i cili, për vendin dhe popullin e tij, një të tretën e jetës e kaloi në vetmi. Më 14 dhjetor 1995, Bacës Adem i është dhënë çmimi ‘Leo Eitinger’ për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Oslos.
Nëse flasim drejtësinë – si tjetër virtyt i lartë i një karakteri të fortë, Baca Adem nuk priti asnjëherë asgjë prej askujt. Drejtësisë, në mënyrën që ai e njihte dhe e cila e dinte se herët ose vonë do të vij edhe për të dhe Kosovën, ia kushtoi një jetë me aktivitet. “Unë jam kundër idesë së hakmarrjes, sepse kam mjaft hesape për të zgjidhur, por nuk dua t’i zgjidh. Unë dua t’ia kthej shpinën hakmarrjes”, thoshte baca Adem. I nominuar për çmimin Nobel për Paqe, në shtator të vitit 1994 nga pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë.
Nëse flasim për qëndrueshmërinë – 28 vjet burg padrejtësie, por asnjëherë nuk u thye. Kokën lartë, mendjen e freskët e fjalët gjithmonë të gatshme për të shpuar një sistem të tërë diktatorial, respresiv e kriminal. Me meritë, në historinë e vendit tonë, Adem Demaçi do të njihet përgjithmonë si “Simboli i Rezistencës Kombëtare”!
E, për transendencën – askush si Baca Adem nuk arriti të jetoj përtej nivelit normal ose fizik. Askush nuk ishte i pranishëm më shumë se Adem Demaçi në jetën e shtëpinë e secilit apo në përditshmërinë e një populli të tërë, edhe pse ishte fizikisht i mbyllur mes katër muresh prej hekuri. Baca Adem ishte zëri dhe mendimi që përshkonte kohën dhe hapësirën!
Këto gjashtë virtyte që përbëjnë karakterin optimal të një njeriu të jashtëzakonshëm, me të drejtë dhe meritë ngrisin Bacën Adem në piedestalin e një figure shembullore, që përmes shembullit e jo urdhërave, punës e jo fjalëve, sakrificës e jo ikjes, qëndresës e asnjëherë dorëzimit, guximit e kurrë frikës, të cilin do ta përkujtojmë përjetësisht me nderimet më të larta shpirtërore e njerëzore.
Faleminderit për shembullin e sakrificën, kryengritësi ynë i papërsëritshëm!”.