Zelensky: Rusia po bën luftë gazi me shkurtimet e Nord Stream 1

Ukraina e ka akuzuar Moskën se po bën “luftë gazi” kundër Evropës dhe se po i ndëpren furnizimet për të shkaktuar “terror” mbi njerëzit.

Firma ruse e energjisë “Gazprom” njoftoi se do të reduktojë edhe një herë flukset e gazit në Gjermani për të lejuar punën në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1.

Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte thjesht “shantazh gazi” kundër Evropës.

“Shantazhi me gaz për Evropën, i cili vetëm përkeqësohet çdo muaj, i nevojitet një shteti terrorist për t’i bërë më keq jetën çdo evropiani”, tha Zelensky në fjalimin e tij të zakonshëm të orëve të vona.

Ai tha se ishte synuar qëllimisht për ta bërë të vështirë për Evropën përgatitjen për dimër, duke mos pasë kujdes që si rezultat i kësaj njerëzit e varfër mund të vuajnë në muajt e ftohtë.

Gazsjellësi Nord Stream 1, i cili pompon gaz nga Rusia në Gjermani, ka punuar tash e disa javë shumë nën kapacitet.

Në fillim të këtij muaji, tubacioni më i madh evropian i Rusisë u mbyll plotësisht për një pushim 10-ditor për mirëmbajtje, duke shkaktuar frikë në Evropë se dërgesat nuk do të rifillonin fare.

Dërgesat rifilluan pesë ditë më parë – megjithëse ende me një kapacitet të reduktuar. Por të hënën, Gazprom njoftoi se do të shkurtojë furnizimin me gaz edhe një herë.

Këtë herë tha se duhej të shkurtonte furnizimin me gaz në rreth gjysmën e niveleve aktuale në mënyrë që të kryehin punët e mirëmbajtjes. Qeveria gjermane, megjithatë, tha se nuk kishte asnjë arsye teknike që Gazprom të kufizojë furnizimin.