15 mijë të vrarë deri më tani, por sa janë humbjet reale të Rusisë në Ukrainë

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Që nga viti 1816 janë shënuar 50 viktima në ditë nga luftërat. Lufta e Rusisë në Ukrainë është shumë më e përgjakshme. Bill Burns, drejtori i CIA, Richard Moore, shefi i mI6(inteligjencës amerikane) dhe Mikk Marran, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Estonisë, kanë deklaruar se rreth 15,000 rusë kanë vdekur që nga 24 shkurti – një normë mesatare prej më shumë se 100 të vrarësh në ditë.

Zyrtarët ukrainas nga ana tjetër thanë se numri i viktimave ka qenë i ngjashëm ose mbase më shumë.

“Ajo që mendoj unë është që numri i viktimave do të tejkalojë shifrat e luftërave të tjera të mëdha europiane jo-botërore, si Lufta Franko-Prusiane e 1870-71”, tha Paul Poast nga Universiteti i Çikagos.

Por si vlerësohen shifrat e viktimave?

Viktimat ushtarake ndahen në dy kategori kryesore: të vrarë në aksion (kia) dhe të plagosur në aksion (wia), disa prej të cilëve vdesin më vonë.

Ata që janë kapur si robër lufte dhe ata që zhduken numërohen veçmas. Disa vlerësime të viktimave ruse në Ukrainë mbulojnë vetëm personelin e ushtrisë. Të tjera përfshijnë forca nga Rosgvardiya (garda kombëtare), fsb (pasardhësi kryesor i kgb-së) dhe të tjerë, si forcat ajrore vdv që u shkatërruan në fazën e parë të konfliktit.

Dhe disa përfshijnë luftëtarë nga milicitë e mbështetur nga Rusia në republikat popullore të Luhansk dhe Donetsk – një sërë qeverish kukull në Ukrainën lindore, të cilat kanë rekrutuar një numër të madh banorësh vendas.

Zyrtarët amerikanë mendojnë se midis 15,000 dhe 20,000 rusë, në të tre këto kategori, kanë vdekur në total që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Më 29 qershor Ben Wallace, ministri i mbrojtjes i Britanisë, tha se 25,000 rusë ishin vrarë.

Numri i viktimave nga Ukraina është vlerësuar në 38,500 që nga 19 korriku. Më 19 korrik Oleksii Reznikov, ministri i mbrojtjes së Ukrainës, pohoi, disi në mënyrë të pabesueshme, se 11,000 rusë kishin vdekur vetëm në betejat për Severodonetsk dhe Lysychansk.

Këto shifra pasqyrojnë faktin se vlerësimi i viktimave të një vendi tjetër përfshin në mënyrë të pashmangshme hamendësime. “Nuk është një shkencë e saktë,” tha një zyrtar perëndimor.

Detajet e vlerësimit të viktimave priren të klasifikohen, por analistët kanë në dispozicion disa mjete. Një prej tyre janë vlerësimet ruse duke përdorur inteligjencën sekrete, si agjentët brenda qeverisë ruse ose përgjimet në të cilat njësitë ruse përshkruajnë viktimat e tyre, raporton abcnews.al.

Megjithatë, këto fakte mund të shtrembërohen: zyrtarët perëndimorë mendojnë se vetë Putinit nuk po i shpaloset pasqyra e plotë se si po shkon lufta e tij. E treta është të nxirret përfundimi i viktimave nga pajisjet e shkatërruara, të cilat mund të vërehen në çdo gjë, nga mediat sociale tek imazhet satelitore, duke u mbështetur në njohuritë paraprake se sa rusë tentojnë të drejtojnë një automjet të caktuar ose përbëjnë një lloj të caktuar njësie.

Sido që të bëhen këto përllogaritje, ajo që është e qartë është se “shiritat e gabimit” janë të shumta, duke reflektuar një pasiguri të konsiderueshme. Shifra e saktë e të plagosurve është edhe më e vështirë. Është gjithashtu jetike, pasi efektiviteti i një ushtrie nuk varet nga sa ushtarë të saj vdesin, por nga sa nga ata nuk janë më në gjendje të luftojnë.

Disa prej tyre llogarive mund të bëhen duke vëzhguar spitalet në terren, rezervat e gjakut dhe tregues të tjerë të aktivitetit mjekësor.

Por cilin raport duhet të merrni parasysh?

Në luftën e parë dhe të dytë botërore, raporti mesatar për ushtrinë amerikane ishte pak më shumë se tre me një – domethënë tre të plagosur për çdo të vrarë, sipas shifrave të përpiluara nga Instituti Dupuy, i cili mbledh të dhëna historike mbi luftën.

Megjithatë, kjo ndryshoi gjatë shekullit të 20-të. Hulumtimi nga Tanisha Fazal nga Universiteti i Minesotës tregon se raporti i të plagosurve ndaj të vrarëve është rritur në periudhën e pasluftës sepse ushtarët që hyjnë në luftë janë shumë më të shëndetshëm, kanë pajisje më të mira mbrojtëse, arrijnë të evakuohen më shpejt nëse lëndohen dhe gëzojnë kujdes më të mirë mjekësor në përgjithësi, raporton abcnews.al.

Në një luftë në 1980, vdiqën 1200 ushtarë, 800 prej të cilëve u vranë në fushëbetejë dhe pjesa tjetër vdiqën më vonë si pasojë e plagëve të marra. Rrjedhimisht, në luftën e Irakut, midis 2003 dhe 2011, raporti për ushtrinë e Amerikës ishte pothuajse nëntë me një; në Afganistan pothuajse dhjetë me një. Këto raporte ishin pjesërisht rezultat i shpejtë i kujdesit kritik ndaj ushtarëve të plagosur brenda 60 minutave pas një lëndimi, një periudhë e njohur si “ora e artë”, duke vendosur më shumë ekipe kirurgjikale dhe duke përshpejtuar evakuimin e tyre.

Lind pyetja se sa nga kjo vlen për Rusinë.

Në Irak dhe Afganistan, Amerika përdori intensivisht helikopterët për evakuimin e tyre. Kjo është më e vështirë kur helikopterët shkatërrohen siç ndodh në Ukrainë. Amerika mund të përballet me të njëjtin problem në rrethana të njejta.

Dr Fazal, vuri në dukje se simulimet treguan se trajtimi brenda “orës së artë” do të ishte shumë më i vështirë për Amerikën. Një luftë kundër Koresë së Veriut, për shembull, do të kërkonte evakuimin e viktimave të barazvlefshme në numër me ato të pësuara nga Amerika në të gjitha konfliktet e saj në 17 vitet e mëparshme (duke përfshirë Irakun dhe Afganistanin) “në një periudhë muajsh, nëse jo javësh”.

Kjo do të shkatërronte edhe aftësitë e evakuimit të Amerikës. Mjekësia e ushtarake e Rusisë është “më pak e zhvilluar” se ekuivalenti i saj perëndimor, sipas Ronald Ti, një ekspert i logjistikës mjekësore ushtarake në King’s College London (kcl).

Theksi – si në shumë ish-republika sovjetike, përfshirë Ukrainën është në trajtimin e tyre në spitale. Kjo është e dukshme nga shifrat perëndimore. Burns dhe Marran thanë se Rusia kishte pësuar tre herë më shumë të plagosur sesa të vrarë.

Kjo është përafërsisht në përputhje me faktet e dokumentuara nga Ukraina dhe të analizuara nga Rob Lee nga kcl dhe Michael Kofman nga CNA, një institut kërkimi. Dokumentet treguan humbje në Ushtrinë e Parë të Tankeve, një formacion kyç sulmues rus, deri në mes të marsit. Ata sugjeruan një raport 3.4:1, duke u rritur në 4:1 nëse ushtarët e humbur numëroheshin si të vdekur.

Kjo e fundit është shumë afër raportit të raportuar nga milicia e republikës popullore të Donetskut, e cila, ndryshe nga ushtria ruse, ka dokumentuar viktimat e tyre. Një problem tjetër, sipas Kofman, është se raporti mund të ndryshojë kur ushtarët e plagosur të vdesin.

Këto llogaritje mund të duken misterioze. Por raporti specifik që dikush zgjedh ka implikime të rëndësishme për të gjykuar se sa keq është goditur ushtria ruse, një metrikë kyçe në një luftë të zgjatur rrënimi. Zgjedhja e një raporti 3:1 nga inteligjenca amerikane dhe estoneze sugjeron se 60,000 luftëtarë rusë janë larguar nga fusha e betejës, megjithëse disa ushtarë të plagosur në shkurt ose mars do të jenë shëruar deri tani.

Nëse në vend të kësaj, numri i viktimave sipas Wallace është i saktë, kjo nënkupton se 100,000 nuk janë në gjendje të luftojnë. Ky numër rritet në 125,000 – ekuivalente me të gjithë forcën luftarake tokësore me të cilën Rusia filloi luftën.

Kjo do të thotë se vlerësimet shumë të larta për numrin e viktimave janë më pak të besueshme, argumenton Kofman. Nëse viktimat e përgjithshme do të ishin në mënyrë dramatike më të larta se shifrat amerikane dhe britanike, ushtria ruse do të kishte qenë dukshëm në telashe edhe më të thella shumë kohë më parë, raporton abcnews.al.

Megjithatë, humbjet ruse në këtë shkallë shpjegojnë pse kaq shumë batalione ruse janë jashtëzakonisht të pafuqishme, pse përparimi i tyre në Donbas ka qenë jashtëzakonisht i ngadaltë dhe pse ushtria tani po grumbullon batalione rezervë nga vullnetarët në të gjithë vendin.

Nëse Ukraina kryen një kundër-ofensivë në shkallë të gjerë në provincën jugore të Khersonit në muajt e ardhshëm, kjo do të shkaktojë më shumë humbje te forcat ruse. Dhe oficerët që drejtojnë ushtrinë janë prekur shumë: “mijëra” togerë dhe kapitenë dhe “qindra” kolonelë janë vrarë, sipas një zrytari amerikan më 22 korrik. Nuk është çudi, numri i trupave që refuzojnë të luftojnë tani shkon në mijëra, sipas një tjetër burimi.

Ndoshta shpëtimi për Vladimir Putinin, presidentin e Rusisë, është se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim serioz në vend ndaj një shthurjeje të tillë.

“Këta nuk janë fëmijë të klasës së mesme nga Shën Petersburgu apo Moska,” vuri në dukje Moore. “Këta janë fëmijë të varfër nga pjesët rurale të Rusisë. Ata janë nga qytetet në Siberi. Ata janë nga pakicat etnike. Ata po përdorën si mish për top.