Policia e Kosovës është njoftuar se në kampusin universitar, përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, është vendosur një bombë.
Aty po mbahej koncerti i tenorit Ramë Lahaj, i cili është ndërprerë nga policia.
Njësitet kompetente policore kanë rrethuar objektin, duke kontrolluar edhe me qen.
Pas kontrolleve të detajuara bëhet e ditur se nuk është gjetur asgjë.
Nuk dihet nëse koncerti i Lahajt do të vazhdojë.
Duhet theksuar Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.
Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.
Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.