Ky është spitali 280-milionësh që Pacolli e ndërtoi në Rusi 30 vjet më parë

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka kujtuar kontratën e parë të nënshkruar si pronar i Mabetex Group, me vlerë prej 280 milionë dollarësh, për ndërtimin e spitalit për ‘Mbrojtjen e Nënës dhe Fëmijës’ në Rusi 30 vjet më parë.

Pacolli ka thënë se spitali u ndërtua nga duart shqiptare dhe sipas tij sot konsiderohet si spitali më funksional dhe më modern në Federatën Ruse.

“Më datën e 22 korrikut, në një ditë të nxehtë të vitit 1992, në qytetin Jakutsk (kryeqyteti i Jakutis) nënshkrova kontratën e parë me vlerë prej 280.000.000 $, për ndërtimin e spitalit për “mbrojtjën e nënës dhe fëmijës”. Nga duart shqiptare u ndërtua spitali që edhe sot konsiderohet si më funkionali dhe më moderni në Federatën ruse“, ka shkruar Pacolli, pronar i Mabetex Group.
Në uebfaqen e Mabetex Group mund të gjenden informacione dhe fotografi të spitalit. Sipas prezantimit në faqe, e gjithë hapësira e spitali është 65 mijë metra katrorë dhe ka 800 shtretër.

“Ka 800 shtretër. Ndërtimi dhe pajisja e spitaleve, është një prej fushave të ekspertizës së Mabetex”, thuhet në prezantimimin e projektit, të cilin e kishte paguar Presidenca e Republikës së Sakhas në Rusi.