Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka reaguar ashpër ndaj njoftimeve të Rusisë se do të sulmojë disa zona të tjera në Ukrainë.
Ajo pretendon se bëhet fjalë për “propagandë të re” nga pala ruse, raporton dw.
“Rusia përdor një argument të ndryshëm çdo herë. Këtë herë ata thonë se është për shkak të mbështetjes ushtarake. Por ata tashmë kanë sulmuar Kievin dhe pjesë të tjera të Ukrainës në të kaluarën. Pra, është thjesht një propagandë e re nga pala ruse”, tha ministrja.
Baerbock premtoi ndihmë të mëtejshme të shtetit gjerman për Ukrainën, e cila është e pushtuar që nga 24 shkurti nga forcat ruse.
“Ne po shikojmë mënyra të ndryshme mbështetjeje. Ajo që mund të bëjmë është të ofrojmë mbështetje gjatë hetimeve, gjatë çminimit të qyteteve të ndryshme. Ne mbështesim ndihmën mjekësore, mbështesim refugjatët. Dhe po, nëse ka gjëra ku mund të bëjmë më shumë, edhe me një shtesë direkte financiare, për të cilën jemi duke diskutuar, atëherë e kontrollojmë edhe këtë”, tha kryediplomatja gjermane.
Baerbock është në një turne dhjetëditor veror nëpër Gjermani.
Ajo synon të diskutojë me qytetarët strategjinë e planifikuar për sigurinë kombëtare. Në muajin mars, ministri filloi zyrtarisht punën për atë strategji.