Sulm me avionë, 8 civilë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në kufi, Iraku akuzon Turqinë për masakrën, reagon Ankaraja
NYT rapoton se avionët luftarakë turq goditën të mërkurën një resort turistik në Irakun verior, rajoni i Kurdistanit duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur më shumë se 23 të tjerë, sipas zyrtarëve të qeverisë irakene dhe spitalit.
Sulmi, me të paktën katër raketa, ndodhi në Parakh, një fshat në provincën Dohuk, në rajonin gjysmëautonom kurd afër kufirit turk. Forcat e armatosura të Turqisë kryejnë rregullisht sulme në Irakun verior për të shënjestruar militantët kurdë që strehohen atje.
Zakonisht, këto sulme drejtohen në kampet e trajnimit të operuara nga Partia e Punëtorëve Kurdë, P.K.K., e cila ka qenë e përfshirë në një luftë të gjatë guerile në Turqinë juglindore.
“Përsëri, Forcat Turke kryen një shkelje të qartë dhe të hapur të sovranitetit të Irakut dhe jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Irakut”, tha kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, në një deklaratë të postuar në Tëitter disa orë pas sulmit, shkruan abcnews.al.
“Ky sulm brutal nënvizoi faktin se Turqia shpërfilli kërkesat e vazhdueshme të Irakut për t’u përmbajtur nga dhunimi ushtarak kundër territorit irakian dhe jetës së popullit të tij,” tha ai.
Al-Kadhimi tha se Iraku rezervoi “të drejtën e tij të plotë për t’u përgjigjur”.
Ministria e Jashtme e Turqisë tha në fakt se se sulmi ishte kryer nga P.K.K.
“Konsiderohet se sulme të tilla, të cilat synojnë civilët e pafajshëm dhe që vlerësohen të jenë të organizuara nga organizata terroriste, konfirmojnë qëndrimin e drejtë dhe të vendosur të vendit tonë në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë. “Turqia është e gatshme të ndërmarrë të gjitha hapat për të zbuluar të vërtetën”.
Resorti turistik u shërben irakianëve, shumë nga pjesa jugore e vendit, që kërkojnë t’i shpëtojnë vapës së madhe në muajt e verës. Të vdekurit dhe të plagosurit janë evakuuar në Spitalin e Përgjithshëm Bedar në qytetin e Zakho. /abcnews.al