Ilir Meta për të fundit herë si president viziton Kosovën

Presidenti, Ilir Meta, pak para largimit nga udhëheqja si kreu i Shqipërisë do të vizitojë Kosovën.

Vizita e Metës do të nis sot dhe do të qëndroj deri më 23 korrik, njofton Klankosova.tv

Këtë vizitë nuk e bën të ditur institucionet kosovare, por policia që gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Sot, më 21 e deri më 23 korrik 2022, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta, së bashku me një delegacion shoqërues”.

Policia bën të ditur se Meta arrin në Kosovë pasdite, teksa tregon edhe për agjendën e kthimit të tij në Shqipëri.

“Në kohën e ardhjes (pasdite) me 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta”.

“Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës. Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik” thuhet në njoftimin e tyre.