Të hënën kanë ndodhur dy aksidente fatale në Alpstein në kantonin Appenzell Innerrhoden. Të dy personat kanë rënë në shtegun e ecjes malore nga restoranti i njohur Äscher (i zgjedhur disa herë si vendi më i bukur në Zvicër), në drejtim të lokalitetit Chobel.
Kjo u njoftua nga policia kantonale Appenzell Innerrhoden të martën në mëngjes.
Aksidentet kanë ndodhur veç e veç dhe policia kantonale deklaron se, sipas të dhënave fillestare, aksidentet nuk kanë asnjë lidhje mes vete. Së pari, një gjermane 66-vjeçare ka rënë 80 metra poshtë në një faqe shkëmbi, ndërsa rreth një orë më vonë, ndërsa punonjësit e shpëtimit kishin nxjerrë gruan të vdekur, nga humnera, një burrë 58-vjeçar nga kantoni i Bernës ra në të njëjtin vend, përcjell albinfo.ch. Edhe ai ishte lënduar për vdekje.
Ngjitja dhe zbritja e pjerrët midis vendeve Äscher dhe Seealpsee është shënuar si një shteg ecjeje malore, me shenja që tregojnë rrezikun. Por rreziku në këtë rrugë shpesh nënvlerësohet, thotë Roland Koster, zëdhënës i policisë kantonale të AI.
Aktualisht po hetohet për shkaqet e sakta të aksidentit.