Tottenham Hotspur raportohet se ka shprehur interesim për Memphis Depayn.
Sulmuesi holandez nuk e ka të ardhmen e sigurt te Barcelona, pasi klubi së fundmi transferoi Robert Lewandowskin.
Depay vazhdon të jetë i lidhur me një largim nga “Camp Nou”, teksa Tottenhami besohet se po monitoron situatën e tij.
Sipas gazetës spanjolle “Sport”, klubi anglez ia ka bërë me dije përfaqësuesve të lojtarit se janë të gatshëm të dërgojnë një ofertë prej 17 milionë eurosh.
Në anën tjetër, Barcelona thuhet se kërkon së paku 20 milionë euro për shitjen e 28-vjeçarit.
Ish-sulmuesi i Lyonit me Barcelonën ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023.
Kjo nënkupton se Barça duhet ta shesë lojtarin në afatin kalimtar të verës, për të mos e humbur me parametra zero në vitin e ardhshëm.