Ish-prokurorja Bamieh: Kriminelët e vërtetë janë ende të lirë

Prokurorja britanike që shërbeu në Kosovë si pjesë e EULEX-it, Maria Bamieh, në një konferencë për media ka thënë se ata që kanë keqpërdorur pozitat e tyre në EULEX akoma nuk kanë dalë para drejtësisë.

Madje, ajo i cilëson si “kriminelë të vërtetë”.

“Deri më sot nuk ka pasur hetime të mirëfillta se çfarë ka ndodhur dhe arsyeja pse jam kthyer në Kosovë, edhe pse kam pasur një lloj fitoreje në Britani pasi që Zyra për Punë të Jashtme ka bërë një marrëveshje për rastin tim, është se kriminelët e vërtetë janë akoma në liri dhe ata që unë besoj që kanë keqpërdorur pozitën e tyre në EULEX, edhe ata të cilët kishin keqpërdorur pozitën e tyre në Bruksel, nuk janë vënë ende para përgjegjësisë”.

Bamieh, që në Britani e ka fituar rastin lidhur me sinjalizimin për rastet e dyshuara korruptive në EULEX, tha se synon që së shpejti ish-kryegjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, të raportojë para parlamentit britanik.

“Ndoshta së shpejti do të ftoj Malcom Simmons që të dëshmojë para Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, nëse ky parlament pranon që të na dëgjojë e që shpresoj se do ta bëjë. Unë kam kaluar 10 vjetët e fundit duke luftuar, sepse thjesht nuk mund ta harroja dhe ta mbyllja këtë çështje, dhe të jem e sinqertë ende nuk mundem”.

“Ndoshta jam naive dhe pres që njerëzit të veprojnë sipas obligimeve të tyre ndërkombëtare. Besoj se këto organizata të rendit dhe të ligjit duhet t’i përmbahen rendit dhe ligjit. E kam kuptuar se organizatat ndërkombëtare kanë nevojë për imunitet që të funksionojnë brenda juridiksionit të një vendi tjetër, por kjo nuk duhet të aplikohet në marrëdhëniet e punës. Mungesa e juridiksionit dhe imunitetit kur bëhet fjalë për raste si këto duhet të shfuqizohet dhe duhet të jetë një gjykatë e pavarur ku personeli vendas apo ndërkombëtar mund të shkojë për të kërkuar drejtësi”, deklaroi ish-prokurorja e këtij misioni ndërkombëtar në Kosovë, njofton Klankosova.tv.