Bamieh, pas konferencës, ftohet për intervistim nga Prokuroria e Prishtinës

Ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh ka bërë të ditur se menjëherë pas konferencës që e pati për media është ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Bamieh thotë se është e dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete.

Ajo ka deklaruar se do të bashkëpunojë me autoritetet kosovare, njofton Klankosova.tv.

“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që kam kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjatë konferencës së sotme, ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh ka rrëfyer në detaje lidhur me sinjalizimin e saj për rastet e dyshuara korruptive brenda këtij misioni ndërkombëtar.

Maria Bamieh, ditë më parë, e fitoi rastin me qeverinë britanike, e cila do t’ia paguajë asaj gjysmë milioni euro.

Asaj i ishte shkëputur kontrata parakohshëm për shkak të sinjalizimit.