Rreth 450 qytetarë të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit – të dyja komuna në pjesën jugore të Kosovës – kërkuan ndihmë mjekësore në dhjetë ditët e fundit, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, me sa duket, nga pirja e ujit të ujësjellësit.
Marramendje, të vjella, kokëdhimbje, temperaturë e diarre ishin simptomat që raportuan ata.
Mostrat e ujit, të marra në disa lokacione në Kaçanik dhe Han të Elezit, zbuluan se uji aty kishte nivel të lartë të baktereve.
Një banore e fshatit Rekë të Kaçanikut, e cila u trajtua nga mjekët për të vjella, temperaturë e simptoma të tjera, thotë se nuk ndihet më e sigurt ta përdorë ujin e ujësjellësit.
“Këto [institucionet] po thonë se nuk ka vend për panik, por unë e kam panikun në shtëpinë time. Këto po thonë se nuk ka vend për panik, por unë e di se çfarë kam përjetuar. Nuk kam pasur mundësi që të shkoj te mjeku. Kam qenë keq dhe kanë ardhur [nga ambulanca] dhe më kanë marrë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik, Sinan Zeneli, thotë se simptomat që kanë përjetuar pacientët, kanë qenë kryesisht të lehta, por, sipas tij, ekziston gjithmonë rreziku që helmimet e tilla të shkaktojnë gjendje më të rëndë.
“Çfarë po shohim ne, nuk është diçka që e rrezikon pacientin. Sikur të vazhdonte ai avaz dhe të mos kishte paralajmërime për këtë situatë, nuk mund të them se ajo do të kalonte pa pasoja [më të mëdha]”, thotë Zeneli.
Zyrtarët komunalë u kanë kërkuar banorëve të Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit që të mos e përdorin ujin e ujësjellësit pa e vluar paraprakisht.
Burime të pasigurta dhe mungesë menaxhimi
Ngjarje të tilla mund të ndodhin edhe në komuna të tjera, përfshirë këtu: Drenasin, Skenderajn, Deçanin dhe Suharekën, paralajmëron Skënder Bublaku, ekspert i ujërave në Kosovë.
Në disa fshatra të këtyre komunave, thotë ai, ka sisteme të veçanta të ujësjellësit, që nuk janë nën menaxhimin e kompanive rajonale dhe, rrjedhimisht, nuk u nënshtrohen analizave dhe kontrolleve.
“…pra, janë zona që kanë burime të veçanta të ujit e që, potencialisht, nëse nuk administrohen, nuk janë në rregull teknikisht, nuk u dezinfektohet uji, janë burim i ndotjes”, thotë Bublaku për Radion Evropa e Lirë.
Për të rritur sigurinë dhe cilësinë e ujit që pinë qytetarët, Bublaku thotë se të gjitha rrjetet e ujësjellësve duhet të futen nën menaxhimin e kompanive rajonale, të cilat janë përgjegjëse për monitorimin e cilësisë së ujit.
Pikërisht në fshatrat e Kaçanikut, ku edhe janë helmuar qindra banorë, ndodhet një ujësjellës vetanak, që thuhet se nuk është nën menaxhimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”.
Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, thotë se përgjegjësia bie mbi këtë kompani. Ai tregon se autoritetet lokale, vitin e kaluar, kanë investuar 150 mijë euro në rritjen e kapaciteteve të ujit dhe shpërndarjes së tij, si dhe kanë nënshkruar një kontratë të re këtë vit, për të njëjtin qëllim, në vlerë prej 203 mijë eurosh.
“Këto janë mundësitë tona, edhe pse s’e kemi obligim ligjor, por vetëm moral, për shkak se është komplet punë e Qeverisë dhe Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ‘Bifurkacioni’”, thotë Ilazi.
Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë ndonjë deklaratë nga “Bifurkacioni” e as nga Ministria e Ambientit e Kosovës.
Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se në disa prej fshatrave – ku së voni është raportuar numri më i madh i qytetarëve me probleme shëndetësore pas pirjes së ujit – ujësjellësi nuk është në menaxhim të askujt.
Sipas saj, në mostrat e analizuara të ujit nuk është gjetur klor – materie që përdoret për dezinfektimin e ujit të pijshëm.
“Faktikisht, furnizohen me ujë prej sistemeve individuale, prej sistemeve të vogla lokale, të cilat nuk janë absolutisht të menaxhuara nga askush. Nuk kanë dezinfektim. Klor s’ka në asnjërën prej mostrave. Resurset ujore janë të pambrojtura dhe pritet që në sezonin veror të ketë edhe ndotje”, thotë Nushi.
Sipas saj, ndotjet bakterore dhe kimike janë më të shprehura gjatë verës, sepse, siç thotë, bie niveli i ujit.
Eksperti i ujit, Skënder Bublaku, thotë se duhet një strategji e re e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm.
“Duhet të analizohet çdo fshat. Duhet të bëhet një regjistër i fshatrave, që nuk mbulohen prej kompanive rajonale të ujësjellësit. Të vizitohen dhe të bëhet një analizë e vendburimeve, sepse unë besoj se problemet, kryesisht, lidhen me vendin ku merret uji”, thotë Bublaku.
Vjet u helmuan 1.600 qytetarë në Deçan
Në korrik të vitit 2021, rreth 1.600 qytetarë tëDeçanit – komunë në pjesën perëndimore të Kosovës – kërkuan ndihmë mjekësore, për shkak të keqësimit të shëndetit të tyre, pas pirjes së ujit nga ujësjellësi.
Ata kishin simptoma të ngjashme me ato të qytetarëve të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, përfshirë: vjellje, marramendje, diarre dhe temperaturë.
Analizat e para konstatuan se uji në Deçan ishte i pijshëm, por më vonë u konfirmua se në disa lokacione kishte prezencë të bakterit E.Coli.
Në shkurt të këtij viti, Prokuroria Themelore e Pejës bëri publike ngritjen e aktakuzës për drejtorin e kompanisë rajonale “Hidrodrini” dhe të kimistes së kësaj ndërmarrjeje, nën dyshimet për dy vepra penale: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mosevitim i rrezikut”.
“Hidrodrini” menaxhon rrjetin e ujësjellësit që furnizon me ujë të pijes shumicën e qytetarëve të Deçanit.
Ai furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun./REL