U lanë në pishinë, Inspektorati tregon a bënë shkelje policët që po e shoqërojnë Kurtin

Fotografia e mbrojtjes së afërt të kryeministrit Kurti në një pishinë në një hotel në qytetin grek Sourpi bëri që të ketë reagime të shumta.

Në fotografinë e cila bë virale shihen policët që po e shoqërojnë Kurtin në Greqi të ngjitur krahë për krahë në një pishinë, duke e shijuar motin e nxehtë.

A kanë kryer shkelje policët që u lanë në pishinë gjatë kohës kur po e shoqërojnë kryeministrin Kurti?
Kryeshefi ekzekutiv, Kushtrim Hodaj në një përgjigje për Gazetën Express tha se deri tani nuk është bërë asnjë inicim lidhur me rastin.

Ai tha se policët janë në shoqërim të kryeministrit, dhe nuk janë të informuar se a kanë qenë në orar të punës.

“Nuk kemi ndonjë inicim, nuk kemi bërë ndonjë verifikim. Ata janë në shoqërim të kryeministrit, nuk e dim a kanë qenë në orar të punës, apo në çfarë kohe e shfrytëzojnë orarin e punës apo pushimin. Nuk ka ndonjë inicim”.

Sipas tij, në bazë të raportimeve në media, çështja ka të bëjë më shumë me disiplinë, për të cilën thotë se duhet të hetohet nga eprorët e tyre.

“Më shumë është çështje e disiplinës, ish dasht me hetu vetë Policia, mbikëqyrësit e atij njësiti, pasi që ne i trajtojmë vetëm kur ka elemente të veprës penale. Në bazë të atyre raportimeve nuk ka diçka që përmban diçka që ka vepër penale, por nëse ka shkelje të orarit të detyrës, janë eprorët e vetë dhe është njësiti i standardeve brenda policisë”, tha Hodaj.

Megjithëkëtë, ai tha se nëse Policia e Kosovës inicion se ka elemente që duhet të trajtohen nga IPK-ja, atëherë do ta trajtojnë rastin.

Kujtojmë se Albin Kurtit ka shkuar në Greqi para më shumë se një jave për një simpozium dhe raportohej se po qëndronte në një resort luksoz, në Athinë. Ndërsa, fotografia e mbrojtjes së tij të afërt u bë në një hotel disa kilometra larg Athinës, ku mendohej së është Kryeministri.