Për herë të parë në 20 vjet, euro shënon ulje, barazohet me dollarin

Euro dhe dollari kanë arritur vlerën e njëjtë për herë të parë në 20 vjet, duke sinjalizuar supozimin e tregut se ekonomia evropiane po shkon drejt një recesioni të thellë si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Sot, 1 euro është e barabartë me 1 dollar amerikan.

Ndryshimi do të thotë që kompanitë dhe konsumatorët evropianë do të paguajnë më shumë për mallrat dhe shërbimet që importojnë, ndërsa eksportet evropiane bëhen menjëherë më të lira në tregjet ndërkombëtare.

Euro ka përjetuar një humbje dramatike të vlerës që nga fillimi i shkurtit, kur ishte mbi 1.13 dollarë, përcjell Klankosova.tv

Rënia u përshpejtua javët e fundit pasi u përhap frika se Rusia, ofruesi kryesor i energjisë i BE-së, do të ndërpresë plotësisht rrjedhat e gazit në shenjë hakmarrjeje për sanksionet perëndimore.

Deri më tani, 12 vende të BE-së kanë pësuar një reduktim total ose të pjesshëm të gazit rus.

Furnizimet nga gazsjellësi Nord Stream 1 u ndalën në fillim të kësaj jave për një mirëmbajtje të planifikuar 10-ditore. Është e paqartë nëse Kremlini do të urdhërojë që pezullimi të zgjatet përtej këtij afati dhe të bëhet i pacaktuar.

Të gjithë sytë do të jenë te euro për të parë nëse ajo përfundon duke rënë nën dollarin amerikan. Hera e fundit që ndodhi kjo ishte në nëntor 2002, kur euro vlente 0,99 dollarë.

Që atëherë, euro gëzoi një rritje të qëndrueshme, duke arritur pothuajse 1.60 dollarë në verën e vitit 2008, kur recesioni i madh po bënte kërdinë financiare në të gjithë ShBA-në.