70 diplomatë rusë u dëbuan nga Bullgaria, Petkov: Kush punon për interesa të huaja kthehet në shtëpi
Dy avionë të qeverisë ruse janë larguar bashkë me 70 diplomatë të dëbuar dhe familjet e tyre nga Bullgaria. Aeroplanët kanë fluturuar nga Sofja drejt Moskës, sipas mediave bullgare, numri i përgjithshëm i pasagjerëve që janë larguar nga vendi është mbi 180.
Bullgaria i shpalli persona non grata 70 diplomatët rusë të enjten e kaluar, në atë që është dëbimi më i madh që kur Britania e Madhe dëboi 105 diplomatë sovjetikë gjatë Luftës së Ftohtë në 1971.
“Ne po largojmë 70 diplomatë rusë. Kushdo që punon për interesa të huaja do të thirret të kthehet në vendin nga ka ardhur”, tha kryeministri në largim Kiril Petkov, i cili përgëzoi shërbimet sekrete bullgare për punën e tyre të mirë.
Thuhet se jo të gjithë 70 personat e dëbuar janë diplomatë, disa janë staf teknik si kuzhinierë, shoferë apo kopshtarë.
Ndër diplomatët rusë të dëbuar që u nisën sot për në Moskë ishte edhe numri dy i ambasadës ruse, Philip Voskresensky, i cili tha se asnjë nga rusët “të dëbuar ilegalisht, me arrogancë” nuk ka punuar kundër Republikës së Bullgarisë.
“Askush nuk mund të prishë marrëdhëniet ruso-bullgare, askush”, tha Vozkresenski, duke folur në aeroport, siç citohet nga e përditshmja SEGA.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Bullgaria e ka ulur “në minimum, madje në zero” mundësinë e funksionimit të ambasadës ruse në Sofje.