2 Korriku, Krasniqi: Respekt e mirënjohje për të gjithë delegatët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar 2 korrikun, dita kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës.

Krasniqi, përmes një postimi në facebook, tha se përkundër kushteve të vështira, delegatët e Kosovës, me vendosmëri e shpallën këtë deklaratë, si njësi të pavarur dhe të barabartë me të tjerat vende t ish-Jugosllavisë.

“32 vjet më parë, përkundër kushteve të një shtetrrethimi policor nga ana e regjimit serb që mbante peng ndërtesën e Kuvendit, delegatët e popullit të Kosovës, të palëkundur nga vendosmëria, e shpallën Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, si njësi e pavarur dhe e barabartë me Republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Ishte ky një akt themeltar që do t’i paraprinte Kushtetueses së Kaçanikut, dy shtylla këto që janë prelud i vullnetit të popullit tonë për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Krasniqi në facebook.

Në përkujtim të kësaj date, Krasniqi tha se nderohen të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj deklarate, transmeton Klankosova.tv

“Në përkujtim të 2 korrikut të vitit 1990, nderojmë sot të gjithë ata burra dhe gra që në një moment të ndryshimeve kapitale politike, e bënë një hap të guximshëm për t’i hapur rrugë realizimit të vullnetit politik të popullit tonë dhe për ta bërë këtë rrugë të pakthyeshme – rrugë e cila ishte me plot sakrifica e që kulmoi me sakrificën sublime të popullit tonë, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Respekt e mirënjohje për të gjithë delegatët e Kosovës që në kushte e rrethana të vështira, sot 32 vjet më parë, i dhanë orientim të ardhmes së pashmangshme të Kosovës, si shtet i lirë, demokratik e i pavarur”.