Ky është fjalimi i ambasadorit amerikan në pritjen për 246 vjetorin e Pavarësisë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka treguar arsyen se pse ShBA-ja ishte mbështetëse e hershme dhe e zjarrtë e Pavarësisë së Kosovës.

Ai e ka konfirmuar edhe një herë tjetër se shteti i tij nuk lëkundet nga mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë këto deklarata i bëri në pritjen që u organizua mbrëmë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë për 246 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë festë të pranishëm ishin krerët shtetërorë, përfaqësues të institucioneve, drejtues të subjekteve politike, si dhe figura të njohura të jetës publike në Kosovë dhe biznesmenë të shumtë.

Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë kremtimit të Ditës së Pavarësisë:

Presidente Osmani, kryeministër Kurti, mysafirë të nderuar, ju faleminderit që jeni së bashku me mua dhe ekipin e ambasada së ShBA-së për të festuar përvjetorin e 246-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot para dhe mbi të gjitha është festë.

Jam shumë i vetëdijshëm që fjalimi im është pengesë për të shijuar ushqimin, pijet, zbavitjen dhe shoqërinë e mirë të mbledhur këtu.

Prandaj, ju premtoj, do të flas shkurtimisht.

Para 246 viteve, 56 përfaqësues të 13 kolonive amerikane u mblodhën në Filadelfi dhe ratifikuan atë që atëherë konsiderohej dokument radikal – Deklaratën tonë të Pavarësisë.

Me këtë dokument statusi i kolonive shpallej si shtete sovrane, të pavarura.

Jo vetëm që ky dokument ishte hapi i parë në krijimin e Shteteve të Bashkuara, por ai i përshkruan aspiratat tona si popull – aspirata dhe vlera për të cilat përpiqemi dhe punojmë edhe sot.

Në fjalinë e dytë, shprehet premtimi amerikan: „Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”.

Ky premtim gjithashtu udhëheq politikën e jashtme amerikane jashtë kufijve tanë.

Për këtë arsye, ShBA-ja ishte mbështetëse e hershme dhe e zjarrtë e pavarësisë së Kosovës.

Kjo është arsyeja përse mbesim të patundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Prandaj, sot, përderisa festojmë 246 vite të ShBA-së si shtet i lirë, i pavarur, sovran, gjithashtu së bashku festojmë 14 vite të pavarësisë së Kosovës dhe përparimit të jashtëzakonshëm të arritur për këtë kohë kaq të shkurtë.

Nuk mund të mendoj asnjë vend më të përshtatshëm për të bërë këtë se pikërisht këtu – në ambasadën e ShBA-së në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike.

Duke e mbyllur, dëshiroj vetëm të përmend se këto ngjarje nuk ndodhin vetvetiu.

Ju lutem, bashkohuni me mua për të falënderuar qindra vullnetarë, të cilët e kanë organizuar këtë ngjarje nën udhëheqjen e aftë të Valeri Takerit dhe Agron Beqirit.

Gjithashtu, dëshiroj t’i falënderoj sponsorët e shumtë, pa të cilët kjo ngjarje nuk do të mundësohej. Ju faleminderit për bujarinë dhe mbështetjen tuaj.

Dhe në aspektin personal: dëshiroj të falënderoj Arlind Gjyshincën, Sokol Latifin dhe Arbnor Gashin nga Kori Filharmonik i Kosovës që mu bashkuan për të kënduar Himnin Kombëtar të ShBA-së. Si dhe dëshiroj të falënderoj drejtorin e Filharmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, që mundësoi këtë. Faleminderit shumë!

Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe urime Dita e Pavarësisë!