Forcat ruse bombardojnë kryeqytetin ukrainas

Kievi sot ishte shënjestër e granatimeve ruse. Autoritetet ukrainase raportuan se të paktën dy ndërtesa janë bombarduar mëngjesin e të dielës nga një breshër sulmesh ajrore.

Emergjenca Civile e Ukrainës ka raportuar se nga bombardimet janë lënduar disa persona, ndërsa në gjendje më të rëndë është një fëmijë i moshës 7 vjeçare.

Banorët e ndërtesave të cilat ishin shënjestër e forcave ruse thonë nuk kishin hapësirë as të dilnin nga banesat e tyre.

“Dëgjova një shpërthim, zgjova dhe pash me sy një raketë. Objekti që u godit përball meje u shkatërrua për punë sekondash. Në goditjen tjetër unë u hodha disa metra pas si pasojë e rrezes së shpërthimit. Derisa po i merrja qentë, dëgjova edhe një tjetër shpërthim dhe u shtriva në dysheme. Sapo u qetësua situata u zgjova dhe po vrapoja nga dalja. Aty dëgjova edhe një tjetër shpërthim”, tha Bohdan, banor lokal.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitço tha se dy persona janë të lënduar rëndë dhe janë hospitalizuar, ndërsa të tjerët gjenden jashtë rrezikut për jetë.

“Janë hospitalizuar dy persona, por gjendja e tyre është e mirë. Po kërkojmë për persona të tjerë, por siç edhe shihet në ndërtesa ka shumë tym dhe shumë rrënoja. E dimë që ka akoma njerëz aty sepse po dëgjojmë britmat dhe thirrjet e tyre për ndihmë”, deklaroi Vitali Klitço, Kryetar i Kievit.

Presidenti ukrainas, Volodymur Zelensky duke paralajmëruar pjesëmarrjen e tij në Samitin e G7 dhe Samitin e NATO-së në Madrit tha se të gjitha qytetet e okupuara nga pushtuesit rus do të rikthehen nën kontrollin e forcave ukrainase.

“Do t’i rikthejmë të gjithë qytetet tona, Severodonjeckun, Donjeckun dhe Luhanskin. Do të rikthejmë gjithçka. Çdo javë po i ofrohemi Khersonit. Nuk do ta harrojmë Melitopolin, Berdyanskin, Energodarin dhe Mariupolin. Do t’i rikthejmë të gjitha qytetet tona të cilat janë okupuar. Të gjithë do të mbeten qytete të Ukrainës”, deklaroi Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.

Ndërkohë në kuadër të Samitit të G7, presidenti francez, Emanuel Makron dhe kryeministri i Britanisë, Boris Xhonson janë dakordësuar për ndihmë luftarake të përbashkët për Ukrainën.

Kabinetet e dy liderëve kanë kumtuar se përveç ndihmës luftarake, Ukrainës do t’i ndihmohet edhe në aspektin diplomatik gjatë bisedimeve të ardhshme për arritjen e paqes mes Kievit dhe Moskës./