Këngëtari italian, Albano Carrisi ka treguar se emri i tij ka një kuptim mjaft të veçantë që lidhet pikërisht me Shqipërinë.
I ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan”, artisti italian tha se emrin ia ka vendosur i ati pasi ka qenë i lidhur me tokën shqiptare.
“Albano kush ta ka vendosur këtë emër, mos ta ka vendosur ndonjë shqiptar?”, e pyeti njëri prej fëmijëve ndërsa këngëtari italian iu përgjigj:
“Babai im ishte italian dhe duke qenë këtu në luftë në 40-ën i tha mamasë time që quaje Alban se do të jetë fati ynë. Babai im e donte shumë këtë tokë sepse në Luftën Botërore, ai më tha që shqiptarët e kishin shpëtuar nga vdekja e sigurt, kështu që prandaj jam i lidhur me këtë tokë kaq shumë.”, tha artisti italian ndërsa ka folur dhe për përshtypjen e parë që pati për Shqipërinë.
“Ka qenë një përshtypje e mirë sepse kisha dëgjuar shumë fjalë nga babi im për Shqipërinë. Ai ka qenë në një periudhë tragjike këtu. Më kërkoi që të vija këtu dhe zbulova bukurinë e këtij vendi dhe ashpërsinë e gjithë epokës që ka kaluar për shkak të zgjedhjeve politike.
Por është një vend që e lejon veten që të jetë i dashur dhe të japë dashuri. Jetoj përballë Shqipërisë, kur hip në tarracë bëj një të bërtitur dhe jehona e Shqipërisë kthehet mbrapsh. “, tha ai.