Presidenti i AKR’së, Behgjet Pacolli ka treguar se Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë do të kontrollojë pasurinë e tij. Një gjë e tillë, është mirëpritur nga ai. Thotë se pasuria e tij milionëshe është krijuar me punë.
“Sot me ra shorti i Agjencisë Kundër Korrupsionit për kontrollim të pasurisë. E mirëpres e shpresoj se do ta kuptojnë se pasuria krijohet me punë e jo brenda natës”, shkroi Pacolli në llogarinë e tij në Facebook.
“Sa mirë kur je i pastër si loti, e ke frikë vetëm nga Zoti”, shtoi ai.
Behgjet Pacolli është deputeti më i pasur që ka Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë.
Sipas formularit për deklarimin e pasurisë që ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasuria e Pacollit sillet diku rreth 743 milionë euro.
Pacolli ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 210 milionë euro. Këtu përfshihen shtëpi, toka dhe hotelet. Vetëm një shtëpi e tij kushton gati 18 milionë euro.
Për hotelin “Sëiss Diamond” ka thënë se ka vlerë 42 milionë euro.
Tek pasuria e luajtshme, Pacolli ka deklaruar avionin, për të cilin thotë se kushton 8 milionë euro. Përveç avionit, ka deklaruar edhe tetë veturat e tij.
Në total, vlera e pasurive të luajtshme sillet rreth 8 milionë e 504 mijë euro.
Pacolli posedon edhe shumë aksione në shoqëri komerciale. Vlera e tyre sillet rreth 506 milionë euro.
Vetëm në Mabatex Group ka aksione në vlerë 200 milionë euro, për të cilat ka deklaruar pronësi të përbashkët.
Shuma e parave që Pacolli e ka në banka sillet rreth 10 milionë euro. Por, milioneri Pacolli ka edhe një kredi.
Ai ka deklaruar një kredi në vlerë 287 mijë e 971 euro, që thotë se e ka marrë për investime private. Ka afat që ta kthejë deri në vitin 2025.
Ndërkohë, si të hyra vjetore i ka deklaruar gati 4 milionë euro.