Kriza politike në rritje në Bullgari veçse ka sinjalizuar pasojat e drejtpërdrejta dhe afatgjate për ekonominë e këtij shteti dhe partnerët e tij evropianë.
Por, çfarë mund të prisni kur inflacioni i lartë, pandemia e pamëshirshme dhe kërcënimi se shteti mund të tërhiqet në një luftë rajonale komplikohet edhe më shumë nga një faktor i katërt?
Javën e kaluar, Slavi Trifonov, njoftoi se partia e tij, Ka një popull të tillë, po tërhiqej nga koalicioni qeverisës, që ka marrë detyrën gjashtë muaj më parë. Ai tha se arsye për këtë ishin dështimet e supozuara politike mbi Maqedoninë e Veriut, procesi i së cilës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është bllokuar nga Sofja për shkak të çështjeve etno-kulturore.
Trifonov po ashtu tha se tërheqja po bëhej për shkak të fondeve të pamjaftueshme për infrastrukturë.
Por, rezultatet e këtij vendimi do të ndihen edhe në sektorë të tjerë, teksa bota po përballet me kriza të shumëfishta dhe skena politike në Bullgari po shkon drejt një pike kthese.
Qeveria e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, nuk ka rënë, por mbështetja parlamentare është dëmtuar mjaftueshëm dhe është çështje kohe para se ekzekutivi të bie.
Çfarëdo që të ndodhë në ditët dhe javët në vijim, disa gjëra janë të sigurta: Bullgaria ngadalë po shkon drejt miratimit të përdorimit të valutës së euros; shpresat për përmirësimin e raporteve me Maqedoninë e Veriut po shuhen; dhe qëllimet për funksionimin e komisionit anti-korrupsion dhe reformave gjyqësore që një kohë të gjatë nuk janë realizuar.
Të gjitha këto veprimeve që do të ishin të paimagjinueshme nën çdo qeveri bullgare në 20 vjetët e kaluara. Më herët gjatë këtij muaji, Bullgaria ia mohoi mundësinë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të vizitonte Serbinë duke ia ndaluar fluturimin dhe duke qëndruar besnik ndaj sanksioneve të BE-së dhe duke e zemëruar Moskën. Javë më parë, kompania shtetërore ruse Gazprom, ndërpreu furnizimet me gaz për Bullgarinë pasi Sofja refuzoi kërkesën e Moskës për të paguar për këtë produkt me rubla, që nënkuptonte shkelje të kontratave për furnizim.
Por, asnjëra nga këto nuk shkaktoi krizë, pasi Qeveria bullgare aktualisht po negocion furnizimet alternative të gazit dhe është duke përfunduar një tubacion “ndërlidhës” me Greqinë, që do të ndihmojë në eliminimin e varësisë së Bullgarisë nga gazi natyror rus. Dhe pavarësisht thirrjeve nga disa politikanë për negociata ose koncesione me Moskën, Qeveria e Petkovit ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë marrëveshjeje të re me Gazpromin pasi kontrata aktuale të skadojë në fund të këtij viti.
Por, ky qëndrim ndoshta nuk është mirëpritur nga disa anëtarë të partisë Ka një popull të tillë. Zëvendësministri i Energjisë, Plamen Danailov, i tha Euronews Bulgaria më 11 qershor, se partia e tij ka insistuar në “një qasje më të balancuar” dhe shtyrjen e ndonjë refuzimi kategorik të furnizimeve me gazin rus. Më vonë, ministri i Energjisë, Alexander Nikolov, po ashtu nga partia Ka një popull të tillë, hodhi poshtë idenë se kundërshtimet e tilla qëndronin pas vendimit të partisë për t’u larguar nga koalicioni qeverisës.
Por, disa ligjvënës nga partia e Petkovit, Ne vazhdojmë ndryshimin, veçse kanë nisur që nëpër rrjetet sociale t’iu referohen partnerëve nga Ka një popull të tillë me fjalët “njerëz të Gazpromit” dhe ministri i Transporti, Nikolay Sabev, ka pyetur “a po zihet një koalicion i Gazpromit?”.
Vendimi i Ka një popull të tillë ose do të dobësojë aftësinë e Qeverisë për të gjetur alternativa të reja të furnizimeve energjetike për t’i dhënë fund varësisë nga gazi rus, ose do të çojë drejt formimit të një qeverie të re me prioritete të reja, që do të sillej më mirë ndaj Moskës.
Ky është ndoshta një lajm i keq për mbështetësit e rrugës pro-evropiane të Bullgarisë./REL/