Prezantohet tanku i ri gjerman Panther

Prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall, ka prezantuar tankun më të ri në panairin e armëve që po mbahet në Paris të Francës.

Tanku u prezantua me emrin Panther KF51, dhe na rikujton në tankun e dikurshëm gjerman PzKpfw V nga Lufta e Dytë Botërore, transmeton Telegrafi.

Tanku posedon topin e ri të kalibrit 130 mm me “një linjë optimale të sensorëve”, dhe mbështetet në sistemet dixhitale për kontrollin e fushëbetejës, transmeton Telegrafi.

Panther na rikujton në familjen e tankeve kryesore që quhen Leopard 2, por nga kompania Rheinmetall pretendojnë se fjala është për një “tank të ri radikal”, përkatësisht për “konceptin që nuk është i kufizuar në brendësi me teknologji të avancuar”.

“Është tanku i parë që plotësisht është zhvilluar nga Rheinmetall do të jetë lojtari kryesor në fushëbetejat e ardhshme. Me Panther është ringjallur koncepti i tankut kryesor që nuk është i kufizuar me karakteristikat e tankeve ekzistuese. Është dizajnuar nga zeroja me qëllim që të pajiset me teknologjinë më të avancuar”, thuhet në kumtesën e kompanisë gjermane.

Tanku i ri ka kornizën klasike, por në të ardhmen do të mund të jetë pa kupolë dhe pa ekuipazh.