Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati ku mbeti i vdekur Aleksandër Sadikaj dy ditë më parë në Tiranë.
Dyshohet se tritoli në makinën me të cilën udhëtonte Aleksandër Sadikaj, i cili humbi jetën mesditën e së shtunës, është vendosur nga një person i njohur me viktimën pasi lënda plasëse sipas eksperteve që ekzaminuan makinën është vendosur poshtë sendiljes së shoferit.
Gazetarja Dorjana Bezat tha për Top Channel se po kontrollohen kamerat në vendet ku makina ka ndaluar ditët e fundit.
Mësohet se më datë 8 dhe 9 qershor ai ka qenë në Memaliaj në biznesin e tij ndërsa pasditen e datës 9 dhe deri ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë.
Nga kontrollet në banesën e viktimës në Sauk të Vjetër policia ka gjetur disa plumba pistolete dhe një jelek antiplumb.
Kujtojmë që në vendin e ngjarjes policia sekuestroi një pistoletë që dyshohet se i përket viktimës.
Hakmarrja dyshohet të jetë shkaku i vrasjes me eksploziv të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj.
Policia dyshon se autorët me të cilët viktima kishte hyrë në konflikt i vendosën pas gomës së përparme të mjetit rreth 500 gr C4. Një tjetër pistë hetimore është ajo e vrasjes për shkak të implikimit në trafikun e drogës dhe borxhet.
Policia ka dyshime se Aleksandër Sadikaj është ndjekur në distancë nga autorët të cilët kanë telekomanduar lëndën plasëse. Policia ka kërkuar ndihmë dhe nga kompanitë celulare për të identifikuar aparatet celularw të loguar në perimetrin ku ndodhi shpërthimi.
Nga këqyrja e mjetit të viktimës policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me krehër që dyshohet se i përkiste viktimës. Arma është çuar në laborator për të zbuluar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Për vrasjen e të riut në polici nuk është shoqëruar asnjë njeri por po verifikohen personat me të cilët 27-vjeçari ka qenë në konflikt për shkak të të cilave është përballur me drejtësinë për plagosje e tentativë vrasje.
Të dhëna operative të policisë thonë se i riu pak javë më parë është përfshirë në një konflikt në Memaliaj aty ku kishte ndërtuar një biznes prej më shumë se një viti. Të gjithë të dyshuarit po verifikohen nga policia në lidhje me lëvizjet e tyre ditën e ngjarjes.