Pekini “nuk do të hezitojë të fillojë një luftë pa marrë parasysh koston” nëse Tajvani shpall pavarësinë, u raportua t’i ketë thënë ministri i mbrojtjes i Kinës, Wei Fenghe, homologut të tij amerikan, Lloyd Austin, teksa u takuan në margjinat e samitit për siguri Shangri-La në Singapor.
Austin i bëri thirrje Kinës që të “përmbahet nga veprimet e mëtejshme destabilizuese” në Tajvan, thuhet në një deklaratë të SHBA’së të lëshuar pas rundit të tyre të parë të bisedimeve.
Ministria e Jashtme e Tajvanit denoncoi pretendimet “absurde” të Kinës për sovranitet dhe falënderoi SHBA’në për mbështetjen e treguar.
“Tajvani nuk ka qenë kurrë nën juridiksionin e qeverisë kineze dhe populli i Tajvanit nuk do t’i nënshtrohet kërcënimeve të forcës nga qeveria kineze,” tha zëdhënësja e ministrisë Joanne Ou, shkruan The Guardian.
Departamenti amerikan i mbrojtjes tha se Austin “ripohoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës [Tajvanit], kundërshtimin e ndryshimeve të njëanshme të status quo’së dhe i bëri thirrje [Kinës] të përmbahet nga veprimet e mëtejshme destabilizuese ndaj Tajvanit”.
Tensionet mbi Tajvanin janë përshkallëzuar veçanërisht për shkak të rritjes së inkursioneve të avionëve kinezë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit.
Presidenti Joe Biden tha gjatë një vizite në Japoni në maj se Washingtoni do të mbronte ushtarakisht Tajvanin nëse sulmohej nga Kina. Shtëpia e Bardhë që atëherë ka këmbëngulur se politika e saj e “paqartësisë strategjike” nëse do të ndërhynte apo jo nuk ka ndryshuar.